Thaçi pritet të ftohet në Kuvend të sqarojë idenë e korrigjimit të kufirit

28 gusht 2018 | 18:18

Nisma e opozitës që para datës 7 shtator, të zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit në lidhje me dialogun që Kosova po zhvillon me Serbinë, po mbështetet nga një pjesë e shoqërisë civile, e cila përcjell nga afër punën e institucioneve.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kanë bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të trajtojë çështjen e negociatave me Serbinë dhe sidomos paralajmërimet për korrigjimin e kufirit. Rrjedhimisht, Kuvendit i kërkohet të ketë një rol më aktiv në procesin final të negociatave me Serbinë që pritet të zhvillohet nëpër raunde të caktuara në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas tyre, Kuvendi duhet të hartojë platformën për dialog dhe të autorizojë ekipin negociator, duke e mbajtur atë përgjegjës për procesin.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se ky institut e mbështetë nismën e ndërmarrë nga opozita për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se KDI-ja fton të gjitha partitë politike parlamentare të mobilizohen për të mbledhë nënshkrimet e nevojshme për të thirrur sa më shpejt këtë seancë.

“Së fundi kemi bërë një thirrje drejtuar Kuvendit që të ketë një seancë të jashtëzakonshme, për shkak se pamë që një gjë e tillë nuk është në agjendën e Kuvendit dhe nuk po flitet për një çështje të tillë që partitë parlamentare të nxjerrin një rezolutë, e cila do të shërbente si platformë për dialog, dhe tani kur presidenti Thaçi i cili në kokë në vete është duke zhvilluar gjithë këtë proces të dialogut dhe flet për shkëmbim të territoreve”.

“Tash më shumë se asnjëherë më parë, Kuvendi duhet ta thërrasë këtë seancë të jashtëzakonshme dhe të ndalojë këtë praktikë të presidentit, e cila në thelb është kundërkushtetuese që të bëjë dialog me një shtet tjetër për kufij”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, i vetmi institucion që duhet të aktivizohet sa më parë është Kuvendi i Kosovës, pasi që ky institucion edhe i ka të gjitha mundësitë për veprim.

Debatet publike të organizuara në këtë frymë nga shoqëria civile, jashtë Kuvendit, nuk mund të kenë ndikimin e duhur, ka thënë Krasniqi.

“Një problem kryesor që qëndron në gjithë ketë proces është mungesa e transparencës dhe nuk ka shumë informata për publikun se çka realisht është duke u diskutuar në procesin e dialogut në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur ai.

Edhe drejtoresha e organizatës “Fol”, Mexhide Demolli-Nimani, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se ideja e fundit e presidenti Thaçi, por edhe i gjithë procesi i bisedimeve politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë më transparent si për qytetarët, po ashtu edhe për Kuvendin dhe mekanizmat e tjerë shtetërorë.

Ajo ka thënë se tashmë për fazën e fundit të dialogut, Kosova do të duhej ta kishte platformën e vet.

“Mendoj se edhe shoqëria civile mund të bëjë më shumë në këtë drejtim, sepse në njëfarë mënyre ky është edhe roli i saj që të informojë qytetarët rreth asaj që po ndodhë në gjithë këtë proces. Deputetët, çka është pak për t’u habitur, ata nuk po i ndërpresin pushimet e tyre dhe të thërrasin seancë dhe të kërkojnë llogari në Kuvend, aty ku edhe dihet të kërkohet llogaria nga presidenti për idenë e tij për korrigjimin e kufirit. Prandaj, unë mendoj se deputetët pa dallim partie, do të duhej të ishin më aktivë në këtë proces dhe të kërkohet llogari”, ka thënë Demolli-Nimani.

Subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka ndërmarrë tashmë nismën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme para datës 7 shtator, kur pritet të mbahet takimi i radhës ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel. Kjo nismë, është thënë se e ka edhe mbështetjen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Partia Socialdemokrate.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës.

Kurse kryetari i Kuvendi të Kosovës pas kësaj ideje të opozitë për të thirrur seancë të jashtëzakonshme ka thënë se ky veprim, ndonëse proceduralisht është në rregull, politikisht përbën një veprim absurd dhe krejtësisht të panevojshëm për temën të cilën thuhet se do ta trajtojë.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, as dje, as sot, as kurrë, nuk mbrohet me deklarata elektorale dhe rezoluta eventuale. Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës mbrohet nga institucionet shtetërore dhe nga Kushtetuta e saj”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Por, konfuzioni shtohet si pasojë e mungesës së komunikimit në mes të pushtetit dhe opozitës, presidenti Hashim Thaçi ka përsëritur të martën se e përkrahë bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës si pjesë të territorit të Kosovës, duke nënvizuar se ai nuk është në favor të ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territorit me Serbinë. Sipas tij, ai ka përmendur korrigjimin e kufirit si zgjidhje.

Thaçi pritet që të zhvillojë takimin e radhës me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve që ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë…