Transferime të fuqishme nga klubet që ndjekin titullin

06 janar 2020 | 14:32

Transferimi kryesor i realizuar të dielën është Sebino Plaku. Gjilani beson se përvoja e madhe e 34-vjeçarit nga Shqipëria do t’i ndihmojë që ta ndjekë titullin e kampionit. Ndërsa ditë më parë Llapi e transferoi Arbër Prekazin, kurse Drita Kastriot Rexhën. Në ditët e ardhshme priten edhe transferime të tjera të fuqishme nga këto klube, kurse Prishtina ende vazhdon të jetë e heshtur në këtë afat kalimtar.

Klubet që janë duke e ndjekur titullin e kampionit, Ballkani, Drita dhe Gjilani, janë mjaft aktivë në afatin kalimtar të futbollistëve, derisa Prishtina ende është duke qëndruar në heshtje. Lëvizje kanë bërë edhe skuadrat e tjera elitare, përfshirë Feronikelin.

Ballkani i Ismet Munishit, që është kampion vjeshtor, e ka transferuar mbrojtësin me përvojë të madhe, Arbër Prekazin dhe Roni Gashin, por priten edhe transferime të tjera në këtë afat kalimtar. Futbollisti i radhës që gazeta ka mësuar se do të “aterrojë” në Suharekë është Mirlind Daku, i cili në sezonin vjeshtor ishte pjesë e Kukësit në Shqipëri. Duarkryq nuk kanë qëndruar as Gjilani dhe Drita që e mbyllën vitin 2019 në mesin e tri skuadrave të para në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra e Dritës në fundvit arriti t’i rikthejë në radhët e veta dy sulmuesit e njohur Astrit Fazliun dhe Kastriot Rexhën, me synim që ta rikthejë edhe trofeun e më të mirit, derisa nga ky klub janë regjistruar edhe largimet e para: Lucas Cardoso dhe Gilberto Fortunato.

Ndërsa Qëndrim Dautaj, për shkak të minutave të paktë për t’u paraqitur, vendosi ta braktisë skuadrën e Gjilanit, por drejtuesit e klubit të dielën bënë goditjen e parë të madhe, duke e transferuar Sebino Plaku. Sulmuesi shqiptar e ka braktisur skuadrën e Llapit dhe ka nënshkruar kontratë me Gjilanin deri në fund të këtij kampionati.  “Gjilani dhe futbollisti nga Shqipëria, Sebino Plaku, kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi, nga ku do ta mbajë futbollistin e lartcekur si pjesë e skuadrës së Gjilanit deri në fund të këtij edicioni garues”, thuhet në njoftimin e Gjilanit. Plaku sezonin e fundit luajti për Llapin, kurse karrierën futbollistike e nisi me Partizanin e Tiranës, derisa karrierë ka bërë edhe në skuadra të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë, në Poloni me skuadrën e Slask Wroclaw dhe në Norvegji me skuadrën e FC Hamkam. Kjo ishte kundërpërgjigja e parë e Gjilanit për Dritën dhe për klubet e tjera.

Klubi më i madh në vend, Prishtina, ende nuk ka bërë asnjë lëvizje dhe sot (e hënë) pritet që të startojë me përgatitje për sezonin pranveror. Feronikeli ka bërë disa transferime, e kryesori është Ilir Berisha, por ka larguar lojtarë me përvojë të madhe si Astrit Fazliu, Arbër Prekazi, Kastriot Rexha, Albutrint Morina, Lulzim Doshlaku, Haxhi Neziraj dhe Milos Krkotiq.

Lëviz edhe Drenica, pozitën e trajnerit ia beson Gani Sejdiut

Klubi i Drenicës pati një sezon të mirë, duke përfunduar në pozitën e gjashtë me 24 pikë. Ky klub bëri ndryshime në kryesi dhe në shtab teknik. Tahir Lushtaku vendosi të largohet dhe pozitën e tij klubi kuqezi ia besoi trajnerit Gani Sejdiu. Ky i fundit njihet si trajner i sukseseve, pasi e shpalli Trepçën kampione, sikurse edhe Feronikelin. Në këtë klub si përforcime janë ardhur Egzon Fazliu dhe Endrit Shala, kurse janë larguar dy të huazuarit nga Feronikeli, Keita Balde dhe Nicholas Andrews. Ndërsa Atdhe Grajqevci iu bashkua Llapit për sezonin pranveror.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i zhvillimeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar…