Tregtarët kërkojnë rikthimin e veturave të vjetra, blerësit kundërshtojnë

21 tetor 2018 | 16:54

Aktualisht në Kosovë tregtarët mund të importojnë vetura jo më të vjetra se 10 vjet.

Mirëpo, pas propozimit të deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku për heqjen e kufizimit që nuk lejon importimin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet, Kuvendi po e shqyrton përsëri Ligjin për importimin e automjeteve.

E, heqjen e këtij kufizimi, po e kërkojnë edhe tregtarët e veturave në tregun e Fushë Kosovës.

Samir Voca, shitës i veturave në këtë treg, ka thënë se nëse nuk hiqet ky kufizim, ai nuk di çfarë të bëjë me veturat që i posedon më të vjetra se 10 vjet.

Edhe Xhafer Fetahut, ka thënë se i konvenon heqja e kufizimit të importit të veturave të vjetra, kryesisht për shkak të kostos më të ulët që kanë.

Por, blerësit nuk po e ndajnë të njëjtin mendim me tregtarët. Ata duan që të mbetet kufizimi për importin e veturave më të vjetra se 10 vjet, por kërkojnë që të lirohen nga shpenzimet doganore.

Altin Berisha ka thënë se veturat e vjetra po e dëmtojnë ambientin, andaj ka sugjeruar që mos të importohen në Kosovë.

Të njëjtin mendim e ka ndarë edhe Arben Gashi nga Arllati, i cili ka thënë se nganjëherë më shtrenjtë po u kushton regjistrimi i veturave sesa vetë ato.

Kundërshtime të ashpra sa i përket nismës së re ligjore, me të cilën parashihet të largohet kufizimi i vjetërsisë së veturave, kanë shprehur përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës. Përfaqësues në këtë ministri e kanë vlerësuar të panevojshëm ndryshimin e ligjit, duke insistuar në qëndrimin e tij se krijohen çrregullime në tregun e importit të automjeteve dhe Kosova shndërrohet në varrezë veturash të vjetra.

Kurse, propozuesi i nismës ligjore për largimin e kufizimit të vjetërsisë së veturave më të vjetra se dhjetë vjet, deputeti Mërgim Lushtaku, kohë më parë është arsyetuar se deri te vendimi për ndryshim ka ardhur pas hulumtimeve të bëra, ku rezulton se në asnjë vend të Bashkimit Evropian nuk parashihet si kriter për importim vjetërsia e automjeteve, përveç standardeve në ruajtjen e ambientit. (Ksp)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derbi i xhiros së njëmbëdhjetë në elitën e futbollit të…