Trumpi për sulmet e armatosura: Urrejtja nuk ka vend në ShBA

05 gusht 2019 | 11:24

Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, ka bërë thirrje për veprime urgjente për të parandaluar dhunën me armë.

Ai ka thënë të hënën se të gjithë amerikanët duhet të “dënojnë racizmin, fanatizmin dhe supremacizmin e bardhë”.

Kjo deklaratë e Trumpit vjen pas vrasjeve masive me armë zjarri në Teksas dhe Ohajo, ku humbën jetën 29 vetë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. “Këto ideologji të gabuara duhet të mposhten”, ka thënë presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. “Urrejtja nuk ka vend në Amerikë. Urrejtja mjegullon mendjen, shkatërron zemrën dhe gllabëron shpirtin”, ka thënë ai.

Të shtunën, një njeri i armatosur vrau 20 vetë në një Walmart të El Pasos në Teksas, ngjarje që autoritetet e quajtën krim të urrejtjes me motive racore. Vetëm 13 orë më vonë, një tjetër njeri i armatosur në qendër të Dejtonit, në shtetin Ohio, vrau nëntë njerëz.

Presidenti Trump ka pohuar se ligjet e shëndetit mendor duhet të reformohen për të identifikuar më mirë individët me probleme mendore.

Ai bëri thirrje për zbatimin e dënimit kapital për ata që kryejnë vrasje masive dhe krime të urrejtjes.

Trumpi ka bërë me dije se kishte udhëzuar Departamentin e Drejtësisë të punojë me autoritetet lokale dhe kompanitë e mediave sociale për të zbuluar vrasësit para se të godasin. Ai ka theksuar se interneti, media sociale dhe videolojërat e dhunshme kanë ndihmuar në radikalizimin e njerëzve.

Presidenti Trump u ka kërkuar ligjvënësve të vendosin kontrolle të forta mbi blerësit e armëve, duke lënë të kuptohet se kjo mund të bëhet paralelisht me reformën e imigracionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jennifer Lopez dhe Alex Rodriguez u shëtitën mbi një deve.…