U mbajt tryeza për gjendjen e tanishme dhe të ardhmen e kërkimit dhe inovacionit në Kosovë

15 nëntor 2019 | 11:21

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka organizuar tryezën me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS (Higher Educaiton, Research and Applied Sciences), i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte prezantimi i status quo-s së kërkimit dhe zhvillimit të inovacionit në Kosovë, ku edhe u publikua raporti i Vlerësimit të Kërkimit dhe Inovacionit (K&I), duke specifikuar hapësirat për përmirësim në relacion me Zonën Europiane të Kërkimit, si dhe ofrimi i një sërë rekomandimesh për avancimin e K&I në Kosovë në të ardhmen.

Sekretari i Përgjithshëm i MAShT-it, Ekrem Kastrati ka thënë se Ministria e Arsimit mbetet e përkushtuar që të angazhohet maksimalisht në realizmin me sukses të Projektit HERAS në Kosovë, me qëllim të zhvillimit të kërkimit dhe inovacionit në Kosovë.

Sekretari Kastrati gjithashtu vlerësoi kontributin e çmuar të Austrisë në këtë drejtim, ndërsa theksoi se, mbetet që në të ardhmen të jetësohen konkluzionet dhe rekomandimet që dalin nga dokumenti i prezantuar, me qëllim të përmirësimit të sistemit të K&I në Kosovë dhe përgatitjes së vendit për integrim në Zonën Europiane të Kërkimit (ERA).

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger tha se, është i kënaqur që Austria është ndër vendet kryesore të BE-së që për njëzet vjet mbështet zhvillimin e arsimit të lartë dhe kërkimit e inovacionit në Kosovë, përmes projekteve të ndryshme.

Në këtë tryezë, morën pjesë studiues, përfaqësues të institucioneve, si dhe përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare që përkrahin zhvillimin e kërkimit dhe inovacionit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se 3.8 milionë euro llogaritet vlera e konfiskuar…