“Uragani” Gabriel Escobar

21 mars 2024 | 09:33

Shkruan për “Pamfleti”: Fadil Lepaja
Në këtë fazë, as Kosova, as Serbia nuk e diktojnë dot SHBA-në, as nuk e kushtëzojnë me formulën, “o me ne, o me ata”…

Para disa ditësh, z. Escobar ishte në rajon. Mesazhi i tij, tingëlloi i ashpër ndaj Kosovës, më saktësisht ndaj Kryeministrit të saj, megjithatë për atë që ka veshë, mesazhi i tij është i qartë, i fuqishëm dhe krejtësisht i favorshëm për Kosovën, për Serbinë dhe për rajonin.

Kosova, përkundër komenteve, do të pranojë parimet bazë të hedhura nga z. Escobar, edhe pse nuk është aspak e sigurt nëse Serbia do t’i njohë ato parime dhe nëse ajo do të pranojë të jetë partnere strategjike e SHBA, duke pasur në konsideratë kushtet e SHBA.

A janë këto parime të deklaruara nga z. Escobar në interesin më të mirë të Kosovës dhe Serbisë?  Mund të jetë një deklaratë edhe në interes të Kosovës edhe të Serbisë, njëkohësisht?

Është edhe një nga ato deklaratat pa ngjyrë që nuk thonë asgjë?

Apo është “kulaçi i zgjeruar”, në formën e “Evropa e bashkuar “që po na e ofrojnë?

Do ta kafshojë atë politika serbe?

Ndërkaq, Escobar, erdhi, takoi, foli me zyrtarët dhe shkoi. Me ashpërsinë e deklaratave, sidomos paraprijëse, ngjante me një uragan që do të thyejë çdo rezistencë. Pas ikjes së tij, ndodhi një rrotullim i politikës amerikane rreth boshtit të quajtur “viktimë”.

Kush është viktimë, në këtë mes, në këtë marrëdhënie të zhdrejtë, Kosovë-Serbi, pyeten me të drejtë familjarët e viktimave të luftës së fundit në Kosovë, por edhe politika e cila nuk di të shkojë përtej identifikimit me luftën.

Duket se nuk është fjala për këto viktima.

Lidhur me luftën dhe viktimat e saj politika amerikane nuk kishte asnjëherë dilema.

Të gjithë civilët e vrarë në Kosovë ishin viktima të cilat kërkojnë një varr, një emër mbi varr dhe një emër përgjegjës për vrasjen e tyre.  Edhe pala serbe deklaroi viktima, sidomos pas lufte. Nuk bëhet fjalë për këto viktima. Aty politika amerikane mbetet e patundur, ashtu si mbetet e palëkundur në njohjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës.

Por për çka bëhet fjalë atëherë?

Serbët e Kosovës, aktualisht po deklarohen viktima të shtetit të Kosovës. E fundit ishte ankesa dhe reagimi ndërkombëtar rreth dinarit. Shteti i Serbisë, duke lobuar për të drejtat e serbëve, po përpiqet të “përkthejë” ato si të drejtat e Serbisë mbi Kosovën, në segmente të caktuara. Përderisa askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk e vë në dyshim të drejtën e shtetit të Kosovës të nxjerr dinarin nga qarkullimi, shumica kanë shprehur mirëkuptim për një periudhë tranzitore prej disa muajsh.  

Këtë e bëri edhe zoti Escobar. Disa e komentuan këtë si përkrahje ndaj Serbisë, disa si sulm ndaj Kurtit, por në fakt, pasi kaloi uragani, shihet qartë ideja që mbeti pas.

Demokracitë perëndimore përkundër opstrukcioneve të vazhdueshme të KS të OKB, e ndihmuan popullin e Kosovës të çlirohet, të ndërtojë institucionet dhe të nxjerrë ligjet demokratike, duke mundësuar kështu një të ardhme të saj në bazë të vullnetit të qytetarëve të saj. Sapo e shpalli pavarësinë pjesa dërmuese e demokracive perëndimore e njohën atë. Kjo njohje dhe përkrahje mbetet e palëkundur edhe sot përkundër të gjitha turbulencave.

Pra, si mund të jetë mesazhi i Ndihmës Zëvendës Sekretarit të SHBA, i favorshëm për Kosovën dhe Serbinë njëkohësisht, do të na duhet të kthehemi në fillim, te pyetja dhe dilema që po na ha të gjallë?

Për çfarë partneriteti dhe çfarë partnerësh flet z. Escobar?

Përderisa në luftën për paqe dhe çlirim, ishin dy anë të qarta, të konfrontuara, ku për të ndalur luftën  duhej thyer makineria serbe e luftës, ishte e qartë kush janë viktimat e kush kriminelët, ndërsa ndërtimi i paqes, kërkon një qasje tjetër, dhe në këtë mision nuk mund të jesh me automatizëm partner vetëm duke u nisur nga e kaluara. Kështu thotë mesazhi, së paku. Përpjekja e SHBA dhe perëndimit është të tejkalohet ndarja ne dhe ata, të tejkalohet vija e konfrontimit dhe të shndërrohet në vijë të bashkëpunimit rajonal. Për këtë nevojitet edhe Serbia.

Oferta që i bënë SHBA Serbisë për partneritet strategjik, i kushtëzuar me Kosovën, në fakt, tregon për hapin e hedhur dhe zgjedhjen që do të bëjë Serbia zyrtare.

Tashmë, në këtë fazë, as Kosova, as Serbia nuk e diktojnë dot SHBA-në, as nuk e kushtëzojnë me formulën, “o me, ne o me ata”. Për paqe në rajon, është i domosdoshëm bashkëpunimi i Serbisë dhe partneriteti i saj me perëndimin. Problemi kryesor në këtë rrafsh është ndikimi i fuqishëm i Rusisë në Serbi dhe në elitat e saj. Përpjekja e presidentit serb Vuçiç, të marrë rolin e Titos në mes Perëndimit dhe Lindjes, mund të jetë i pranueshëm për qytetarët serbë, me idenë e një përfundimi logjik të Serbisë në familjen evro-atlantike duke pasur parasysh rrethimin e plotë të saj nga vendet e BE dhe NATO-s.

Problemi i SHBA dhe Perëndimit me Serbinë,  është i thjeshtë: me kë? Elitat serbe kanë interesa lindore. Qytetarët, së paku pjesa urbane, kanë kulturë perëndimore, ndërsa forcat e organizuara si Kisha Pravosllave dhe elita ushtarake (dhe të sigurisë) janë nën kontrollin lindorë.

Në këtë konstelacion, Presidenti serb Vuçiç, për tmerrin e publikut të tij, pandërprerë bën salto mortale. Gati në çdo konferencë për shtyp. Gati në çdo takim në Bruksel. E mban tensionin në kulm. E frikëson Serbinë me Kurtin. Zhvendosje perfektë e vëmendjes nga rreziqet reale. Escobar po e ndihmon popullin serb kundër Kurtit. Kurti do të bjerë, ‘parashikon’ Vuçiç përpara çdo marrëveshjeje.

Pra salto mortale, në doza ditore, me politikën lindore. Kështu do të vazhdojë deri në fund të luftës në Ukrainë. Do të bjerë? Do të ja dalë? Presidenti serb e ka marrë vëmendjen dhe po e mban ende. Të shpresojmë larg llogoreve të luftës. Këtë po shpreson edhe perëndimi!/Pamfleti

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
N’PRISHTINË   N’andërr m’erdh Ali Podrimja Në nji rol pej…