Versionet e deritashme për vrasjen në Gllogjan: Nga hakmarrja familjare deri tek mosmarrëveshjet për linja të autobusëve

09 dhjetor 2021 | 00:06

Po bëhen afro dy javë që nga nata kur si pasojë e të shtënave me armë humbën jetën tre persona në Gllogjan të komunës së Deçanit.

Nata e 26 nëntorit ishte tejet e dhimbshme për familjarët, miqtë por edhe gjithë vendin pas humbjes së jetës së dy të rinjve dhe drejtuesit të autobusit që po lëvizte në drejtim të Gllogjanit.

Dy nxënës që ishin pasagjerë dhe vozitësi i autobusit humbën jetën pasi një person ende i paidentifikuar nga organet e rendit shtiu me kallashnikov AK-47 në drejtim të tyre.

Por pavarësisht kohës së kaluar nga kjo ngjarje, familjarët e viktimave vazhdojnë të mbesin ende në pritje të arrestimit të kryerësit të veprës së lartcekur.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi ka deklaruar se rasti është ende duke u hetuar dhe se nuk mund të jepen detaje të cilat mund të dëmtojnë procesin hetimor.

“Rasti është duke u hetuar, nuk mund të jap ndonjë detaj sepse mund të dëmtojë procesin hetimor”, ka thënë Nikçi për lajmi.net.

Por pavarësisht “heshtjes” së prokurorisë përkatëse, situata lidhur me këtë rast veçse është komentuar dhe parë në disa sfera.

Madje fillimisht është raportuar se sulmi në fjalë mund të kishte ndodhur shkaku i ndonjë mosmarrëveshje të mëparshme të shoferit të autobusit me pronarët e linjave të tjera të autobusëve, por kjo mundësi e arsyes së çuarjes deri tek vrasja është mohuar kategorikisht nga familjarët e viktimës.

Madje këta të fundit patën deklaruar se nuk kanë informacion se drejtuesi i autobusit kishte ndonjë mosmarrëveshje që mund të çonte në një përfundim të tillë.

Ndërsa eksperti i sigurisë në Kosovë, Agim Musliu ka deklaruar se në vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan, cak i sulmit ishte shoferi,e që sipas tij dy nxënësit ishin qëlluar aksidentalisht.

Madje ai tha se në bazë të dëshmive, vrasësi kishte pikasur saktësisht shoferin e autobusit.

“Pa marrë parasysh asnjë krim nuk mund të jetë i përkryer dhe i planifikuar në mënyrë të përkryer. Mendoj që në bazë të asaj që kemi parë nga mediat në vend të ngjarjes ose në ballinën e autobusit ku është xhami më i madh, vrasësi ka pikasur shoferin e autobusit, por i kanë ikur edhe dy plumba anash. Me ata dy plumba që është gjuajtur shoferi janë vrarë edhe dy të rinjtë tragjikisht. Në fotografi mund të shihni që rreth shoferit është një rreth koncentrik prej pesë plumbave dhe targeti primar i vrasësit ka qenë shoferi. Ne mund të flasim edhe për motivin e tij dhe të paragjykojmë, por derisa të gjendet vrasësi dhe të përcaktohet motivi, nuk mund të dimë pse janë vrarë këta njerëz në një vend të banuar”, ka thënë ai.

E lidhur me këtë rast deklarim pati edhe nga një prej avokatëve kosovar, e që është Besnik Berisha.

Ai potencoi se prokuroria është duke hetuar një pistë tjetër të dyshuari si “hakmarrje si rezultat i humbjes së jetës së një vajze të re”.

Por ai tha se aktualisht në këtë pistë të hetimit nuk ka diçka konkrete dhe se paralelisht me të po hetohet edhe një pistë tjetër.

“Pretendohet se ka pas një vetëvrasje të një të reje që fajësohej shoferi, dmth nga dikush është fajësuar…pastaj pse ia ka nxanë rrugën ky. Unë nuk po them që organet e kanë fajësu, por nga dikush fajësohej, tash edhe emnin s’muj me ia ngjit këtu. Fajësohej për atë akt, për atë humbje jete dhe thuhet se, së paku pista që hetohet, se dyshohet se ka pas një periudhe “grace period”, që pas një viti e tutje nga momenti tragjik t’i mbushë një vjet, unë do të merrem vesh me atë person ndryshe. Dhe kjo është një nga pistat e cila po hetohet, pra hakmarrje si rezultat i humbjes së një jete të një të reje. Por, që ta analizoj këtu, edhe në këtë pistë që po punohet paralelisht me një version tjetër, nuk ka diçka konkrete, ka akoma thashetheme”, ka deklaruar avokati Berisha.

Vrasja e trefishtë e ndodhur në rajonin e Deçanit edhe dy javë më pas mbetet një nga enigmat më të gjera në vend.

Në Kosovën e pasluftës nuk ishte raportuar për ndonjë vrasje të ndodhur me kaq enigmë, me të shtëna kaq ‘profesionale’ madje me armë AK-47. E pavarësisht gjithë këtyre detajeve, si dhe pistave të cilat po ndiqen nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria vrasësi i këtyre të treve vazhdon të lëviz lirshëm, duke mos u kapur ende nga organet e drejtësisë.

E lidhur me vrasjen Qeveria e Kosovës pati ofruar 20 mijë euro për këdo që ofron informacione lidhur me të dyshuarin.

Nga drejtuesit e institucioneve të hetuesisë, por edhe të krerëve të shtetit vazhdimisht është bërë thirrje për dhënie të sa më shumë informacioneve që mund të çojnë deri në arrestimin e të dyshuarit.

E padyshim se kjo nuk është vrasja e vetme në vend që vazhdon të mbetet vetëm si deklarim i një ngjarje të trishtë, vrasje të shumta ende janë të paidentifikuara, vrasësit vazhdojnë të qëndrojnë në liri e disa të tjerë lirohen pas një kohe të shkurtër pikërisht nga organet gjyqësore.

Se çfarë saktësisht po ndodhë me organet e hetuesisë dhe drejtësisë në përgjithësi mund të kuptohet qartë nga raportimet e përditshme sa i përket vendimeve të tyre./Lajmi.net/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i ri i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka…