Veseli me deputetë të pozitës dhe opozitës viziton Austrinë

06 qershor 2018 | 17:30

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga deputetë të grupeve parlamentare nga pozita dhe opozita, do të udhëtojë të enjten për vizitë zyrtare në Austri.

Gjatë qëndrimit në Vjenë, kryeparlamentari Kadri Veseli do të pritet në takim të posaçëm nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

Në takim me homologun austriak, kryeparlamentari Veseli do të diskutojë për bashkëpunimin ndërshtetëror dhe për procesin e integrimeve evropiane të vendit, me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave.

Po ashtu, gjatë vizitës zyrtare në Vjenë, delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të zhvillojë takime edhe me kryetaren e grupit parlamentar të miqësisë Austri-Kosovë, Carmen Jeitler-Cincelli, ndërsa do të pritet në një takim edhe nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme i Kuvendit të Austrisë si dhe takime tjera me zyrtarë të shtetit austriak.

Gjithashtu Veseli dhe deputetët do të marrin pjesë edhe në Forumin Ekonomik Austri-Kosovë, të cilin e ka organizuar Oda Ekonomike Austriake në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Vjenë.

Në këtë Forum Ekonomik ku do të marrin pjesë qindra biznese austriake dhe ndërkombëtare, do të jenë prezentë edhe biznese nga Kosova, ndërsa kryeparlamentari Veseli pritet të ketë një adresim ku do të flas për potencialet që ofron Kosova dhe do të ftoj bizneset austriake dhe ndërkombëtare që të investojnë në Kosovë.

Në këtë vizitë zyrtare në Austri, kryeparlamentari Veseli do të shoqërohet nga një përfaqësues i secilit grup parlamentar: Glauk Konjufca, Aida Dërguti, Teuta Rugova, Evgjeni Thaçi-Dragusha, Time Kadrijaj, Adem Hodza dhe Fikrim Damka.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nderuar me Medaljen Presidenciale…