Vetëvendosje me aksion simbolik kundër qeverisjes së Ahmetit (Foto)

25 nëntor 14:46

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka organizuar të dielën një aksion simbolik përmes të cilit është adresuar mungesa e investimeve në stacionet e autobusëve si pjesë e reformimit të transportit publik në Prishtinë.

Aktivistja e kësaj lëvizje, Tropikë Agaj, ka kujtuar se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në dy fushatat e kaluara zgjedhore si kandidat i Vetëvendosjes ka pasur prioritet reformimin e transportit publik në Prishtinë, duke ditur nevojën e madhe të qytetarëve të Prishtinës për transport cilësor e modern.

“Me reformimin e transportit publik, përveç lehtësimit për lëvizje e transport të qytetarëve e banorëve të Prishtinës, qyteti ynë do të lirohej edhe nga ngarkesa në trafik e kjo do të ndihmonte edhe në rritjen e cilësisë së ajrit, çështje e cila është shqetësim serioz kohëve të fundit”, ka thënë ajo.

Ndërsa asamblisti i Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka thënë se në fushatën e vitit 2013 Shpend Ahmeti pati filluar me një aksion simbolik për pritoret e autobusëve, duke përmendur dhe faktin që kjo ka qenë një nga pikat kyçe të programit edhe në vitin 2017.

Në mungesë të pritoreve të premtuara dhe shumë të pritura, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë vendosur në mënyrë simbolike disa cunga, si ulëse për të pritur deri sa të vijnë autobusët.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore e Gjilanit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës…