Vizioni i LDK-së për 2024: Abdixhiku shpreh përkushtimin dhe sfidat përpara

30 dhjetor 2023 | 19:36

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u ka shkruar letër anëtarësisë së LDK-së, raporton Gazeta Blic.

“Viti 2023 ishte një vit i jashtëzakonshëm.
E bëtë të tillë. Viti 2024 do të jetë dhe më i jashtëzakonshëm sespe do ta bëni të tillë!”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Postimi i plotë:

LETËR FUNDVITI ANËTARËSISË

Të dashur anëtarë të Lidhjes Demokratike,

Teksa po përmbyllim një vit tjetër të angazhimit tonë kolektiv e politik, është koha të reflektojmë në arritjet tona që nuk na u falën por i bëmë. I bëmë me plot përkushtim; i bëmë me plot dedikim; i bëmë me punë e me insistim.

Viti 2023 ishte vit i ngjarjeve të mëdha për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ishte vit i zgjedhjeve tona të brendshme, që nga vullneti i 35 mijë anëtarëve tonë, na dhanë strukturat e reja e Kuvendin X Zgjedhor. Në këtë manifestim demokracie, ne ngritëm standardin politik sërish. Siç di LDK-ja, siç mundet vetëm LDK-ja. Kuvendi X Zgjedhor ishte manifestim evropian i organizimit partiak. Ishte kulmim i festës, e vulë e vitalitetit partiak të shtrirë në 877 nëndegë në Kosovë e në mërgatë.

Për këtë dua të jeni krenarë të gjithë.
Për këtë dua të ju falënderojë përzemërsisht.

Këtë vit gjetëm dhe ‘Rrugën e Re’; programin tonë politik që buroj nga zëri i padëgjuar i njerëzve tanë; e nga dëgjimi i Lidhjes nëpër çdo anë të Kosovës. ‘Rruga e Re’ na erdh si platformë zhvillimore e kohës. E shërimit të ndarjes së brendshme; e ofrimit të një të ardhme që e meritojmë si shoqëri e Republikë. Atë duhet sot ta shpërndajmë si zë shprese në çdo anë.

Konventa e 19 nëntorit, ndërsa, me plot 8,000 pjesëmarrës për të mbështetur një program politik – për herë të parë në Kosovë – na erdh si vulë e ngritjes tonë të madhe.

Ishte e bukur, ishte e fortë, ishte e qartë.
E bëtë të bukur, e bëtë të fortë e bëtë të qartë.

Sikurse zgjedhjet, ashtu dhe Kuvendi e Konventa, të shoqëruara me takimet tona nëpër Kosovë dhe jashtë, ishin reflektime të rikthimit të besimit; atij besimi që na kishte humbur për një kohë. Ndryshimi për së mbari i Lidhjes Demokratike, nuk ishte i lehtë, por ishte pikërisht adresim i zërit të padëgjuar të anëtarësisë sonë për një kohë të gjatë. Rikthimin e shtëpisë sonë politike tek anëtarësia, tek vota e vet demokracia, e kishim detyrim.

Këtë detyrim e kulmuam këtë vit.

Ky angazhim masiv natyrisht se nuk u fal. Ky angazhim u bë nga burrat e gratë fituese të Lidhjes Demokratike në të gjitha nivelet. Nga ata e ato që punuan fortë e pa ndalë; që lanë nga vetja gjithçka për një organizim shembullor partiak. Që zgjodhën punën në vend të përbaltjes së brendshme, që tejkaluan vetën në vend të manisë për pozitë. Që kuptuam qartë thirrjen monumentale për ringritje! Fjalëpak e punëtorë, të djathtë, rugovistë e patriotë.

Lidhjen që e kërkuam e gjetëm.
Kjo lidhje na dha gjithë mbështetjen që kemi.

Natyrisht, gjithë ky angazhim i yni, nuk la pa angazhuar cinikët e rinj e kundërshtarët e vjetër të Lidhjes. Të zënë në habi nga një mbështetje me rritje masive, të mbetur jashtë rrjedhave politike, të parët, zgjodhën përqeshjen, të fundit zgjodhën shpifjen dhe urrejtjen. Ringritja e së djathtës e rugovizmit, i tmerron. Qenia jonë i bën më agresiv. Të gjithë kanë një qëllim, të mbysin entuziazmin rreth LDK-së. Do të shtohen më shumë, do të bëhen më të ashpër, do të jenë më ofendues e më me vrerë, por pikërisht atëherë, ne kuptojmë se jemi në rrugë të vërtetë. Pikërisht atëherë, mes zymtësisë së tyre, ne duhet të gjejmë më të bukurën tonë, të vendit tonë, të zërit qytetar që po na kërkon. Pikërisht atëherë do t’i mundim të gjithë, një nga një – për t’u dhënë më pas edhe atyre një Kosovë më të mirë.

Dhe në këtë rrugëtim nuk jemi të vetëm. Kemi fillimisht njëri tjetrin e plot e përplot si ne; dhe kemi gjithmonë njerëzit e këtij vendi. Ata që sot shprehin qartë thirrjen për Lidhjen Demokratike si nevojë e shpëtimit të vendit. Ata janë shumicë!

E keni dëgjuar të gjithë. E shihni të gjithë. E prekni të gjithë në çdo bisedë e takim me fqinj, bashkëpunëtorë, të afërm, të njohur e të panjohur. Ka vetëm një thirrje e një kërkesë: ejani sa më shpejtë!

Ne jemi zgjedhja. Nga ne presin zgjidhjen.
Prandaj koha jonë po vjen.

Ndryshimin e madh në zgjedhje lokale, atë që provojnë ta zvogëlojnë secilën ditë, po atë ndryshim e duan në betejën nacionale.

Për ta bërë kë ndryshim na duhet veprim. Dhe atë menjëherë. Prandaj veten do ta vendosim në terren. Nga janari i vitit 2024, LDK-ja zbret në çdo anë, në një mobilizim të paparë për një kohë të gjatë. Sepse besojmë në veten; besojmë në programin tonë ‘Rruga e Re’; besojmë në Republikën e Kosovës e në orën e ndryshimit që thërret për ne.

Viti 2023 ishte një vit i jashtëzakonshëm.
E bëtë të tillë. Viti 2024 do të jetë dhe më i jashtëzakonshëm sespe do ta bëni të tillë!

Le të ngrihemi si një.
Le t’i japim Kosovës të ardhmen që ka merituar gjithnjë!

Ju faleminderit secilit për angazhim. Paçi një vit me shëndet e me po kaq përkushtim për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Sali Bislimi Si kuptohet logjika e heshtjes, e politikës…