Vlerat e luftës së UÇK-së, janë vlera sublime të lirisë dhe e pavarësisë!

07 gusht 21:13

Ferat Shala, deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës

Kosova shtet i pavarur, ashtu sikur është tani, nuk do të ishte e tillë pa luftën e lavdishme të UÇK-ja.

Secili shtet gjatë procesit të formimit dhe zhvillimit të tij, kalon përmes disa fazave dhe proceseve historike. Këto procese historike natyrshëm shoqërohen edhe me një mori vlerash njerëzore, sociale, kulturore, kombëtare dhe shtetërore. Pra formimi dhe zhvillimi i shteteve demokratike kalon përmes këtyre proceseve dhe karakterizohet me llojllojshmëri vlerash. Në të shumtën e rasteve këto vlera janë të çmueshme dhe të pazëvendësueshme për një vend, pasi që arrihen me mund e sakrifica.

Në rastin e krijimit të shtetit të Kosovës, lirisht mundë të thuhet se vlera më e madhe e lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit është UÇK-ja. UÇK është faqja më e ndritur e historisë tonë kombëtare. Ndërmarrja më e suksesshme politike e ushtarake e vendit tonë.

Vlera e UÇK-së, është sinomim i vlerës së lirisë së Kosovës, që është vulosur me gjakun e heronjve, dëshmorëve dhe me sakrificën e popullit tonë liridashës. Vlerë e lirisë që është vulosur me numrin e viktimave të luftës, me fëmijët, gratë dhe pleqtë e pafajshëm të vrarë e të masakruar. Vlerë e lirisë që është vulosur me numrin e personave të zhdukur, me numrin e grave të dhunuara dhe me gjenocidin e paparë që ka ushtruar regjimi serb në Kosovë. Vlerë që është vulosur me shtëpitë e djegura dhe të rrënuara, me vjedhjet, shkatërrimin e pronës, pasurisë dhe gjithçka që ishte e jona. Është vlerë e dhimbjes dhe vuajtjeve.

Por, po aq sa është e dhimbshme, kjo vlerë është edhe krenare dhe e papërsëritshme sepse ishte pikërisht kjo që i dha lirinë dhe shtetësinë Kosovës.

Fatkeqësisht, edhe sot pas 20 vitesh të përfundimit të luftës, Kosova po vazhdon të paguajë çmimin e lirisë, po vazhdon të bëjë sakrifica e kompromise të dhimbshme me të vetmin qëllim, që vlera e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e luftës sonë për liri, të mbetet e pastër, e paprekshme dhe e pakontestueshme.

Mbrojtja dhe kultivimi i kësaj vlere dhe sakrifice sublime, do të duhej të na bashkonte, sepse është vlerë e shtetit të Kosovës, vlerë e lirisë dhe e pavarësisë. Është vlerë kolektive e popullit të Kosovës. Nuk është vlerë individuale e as klanore. Është vlerë përtej interesave politike e grupore.

Prandaj, nëse Republika e Kosovës, është produkt i vlerës së UÇK -së, atëherë, duke e ruajtur, nderuar dhe kultivuar këtë vlerë, ne mbrojmë, çmojmë dhe respektojmë shtetësinë e Kosovës.

Mbrojta e kësaj vlere, jo vetëm që është legjitime, por është edhe demokratike, humane dhe emancipuese. Një kulturë të tillë të ruajtjes së vlerave kombëtare dhe historike të një populli e gjejmë kudo në botë në vende demokratike. Ka shumë shembuj e praktika të ndryshme të ruajtjes së këtyre vlerave autentike, përmes muzeve, memorialeve, monumenteve , institucioneve dhe ligjeve të veçanta.

Andaj, askush nuk duhet të ketë frikë që të jetë pjesë e procesit të mbrojtjes së vlerave të UÇK -së. Askush nuk duhet të ketë dyshime dhe dilema në mbrojtje të vlerave të popullit të cilin e përfaqëson. Të gjitha formacionet politike që kanë marrë besimin e popullit do duhej të jenë pjesë e formalizmit të mbrojtjes së vlerave të luftës sonë.

Qëllimi i themelimit të Kuvendit të Kosovës, dhe i zgjedhjes së përfaqësuesve të formacioneve politike në kuvend është mbrojtja dhe përfaqësimi i interesava të qytetarëve, përmes nxjerrjes dhe miratimit të akteve ligjore që janë në interes dhe në shërbim të shoqërisë.

Prandaj duke mbështetur ligjin për vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, e kryejmë një obligim të vonuar, i cili është dashur kaherë të finalizohej. Duke votuar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, deputetë i japin fuqi ligjore këtyre vlerave dhe i bëjnë ato që të njihen, përjetohen dhe të vlerësohen edhe nga gjeneratat e ardhshme.

Në të kundërtën qëndrimet inatçore dhe përçarëse politike për këtë çështje, dhe vonesat në miratimin e ligjit do të dëmtojnë UÇK-në veçanti dhe vetë shtetin e Kosovës në përgjithësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesit janë shumë të rëndësishëm në një skuadër, teksa me…