Xavi: Lewandowski është i pangopur, Dembele si Neymari
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ,ka shijuar debutimin e suksesshëm të skuadrës së tij në Ligën e Kampionëve. 5-1 kundër Viktoria Plzenit në ndeshjen e parë të grupit, ku bëjnë pjesë edhe Bayern Muncheni dhe Interi.
Tekniku i katalanasve ka folur pas ndeshjes duke u thurur elozhe cilësive të lojtarëve. Siç ka bërë me dije “Marca”, fjalë të rëndësishme për Lewandowskin, autor i tre golave, por edhe për Ousmane Dembele, i krahasuar me Neymarin.
“Tre golat e Lewandowskit? Roberti është kështu, i pangopur. Jam i lumtur për mënyrën si stërvitet sesi i ndihmon shokët e skuadrës. Është i përulur, drejton të tjerët dhe bën një punë shumë të mirë në presing. Nuk bëhet fjalë vetëm për të shënuar tre gola”, ka thënë Xavi, i cili ka lavdëruar edhe Dembelen: “Është i lumtur, argëtohet. Është një lojtar që bën diferencën, jep asistime dhe shënon. Është një shigjetë në krahun e djathtë. Nuk dua të bëj shumë komplimente, por aftësia që ka në përballjet një kundër një është në nivelin e Neymarit më të mirë”.



