Xhaka: Ja si e zgjodha Shqipërinë

17 shkurt 2020 | 18:17

Taulant Xhaka zgjodhi që t’i bashkohej Shqipërisë, duke mos marrë të njëjtin vendim si Granit Xhaka për të përfaqësuar Zvicrën. Por si mbërriti në ngjyrat kuqezi dhe çfarë e bindi mesfushorin e Bazelit?

Në një rrëfim të sinqertë që ka dhënë për mediet në Zvicër, e ka treguar qartësisht se kërkonte që t’i bashkohej menjëherë një Kombëtare dhe në ato momente ishte vetëm Shqipëria që i hapi dyert. Gjithashtu Xhaka ka treguar edhe mënyrën sesi përjetohet futbolli në vendin tonë, ku pas atij kualifikimi historik në Francë, pronarët e restoranteve shpeshherë japin ushqime falas për protagonistët kryesorë që na kanë dërguar në atë turne. Pikërisht të njëjtin konstatim e kishte edhe ish-trajneri Gianni De Biasi më parë.

“Në Shqipëri janë shumë të apasionuar pas Kombëtares. Menjëherë të kthejnë në një hero popullor. Në fakt ka raste që unë shkoj në restorante në Shqipëri dhe ata nuk më marrin lekë për ushqimet e konsumuara, por m’i japin falas. Reputacioni që gëzojnë atje sportistët profesionistë që përfaqësojnë Kombëtaren është vërtet i madh. Si e zgjodha Shqipërinë? Familja nuk më ndërhyri fare. Vendimi erdhi se u tregova unë i paduruar dhe shkova te Shqipëria. Isha 19-vjeç, mosha ideale për të ndërmarrë hapin në një ekip kombëtar. Mund të kisha pritur një telefonatë nga Zvicra, por nuk ishte e sigurt nëse do të vinte ndonjëherë. Unë arrita të luaj në Euro 2016 me Shqipërinë dhe u përmbush ëndrra e madhe, prandaj nuk pendohem për këtë vendim”, ka thënë Xhaka.

“Shqipëria e shprehu interesimin për mua shumë herët dhe doja ta provoja veten time në këtë eksperiencë, në një moshë të re. Kurrë nuk ka qenë një vendim kundër Zvicrës, Mirënjohje që pritën familjen time, që u linda dhe u rrita atje. Por doja të fitoja një përvojë me Kombëtaren sa më shpejt të ishte e mundur dhe për fat të keq nuk u bë u mundur me Zvicrën”, ka shtuar Xhaka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja ndërmjet Vushtrrisë dhe Dritës, e cila do të zhvillohet…