Zbardheni krimin në Gllogjan, kërkoni ndihmë edhe nga ndërkombëtarët

29 nëntor 2021 | 15:37

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të japin përgjegjësi bashkërisht për mungesë të rezultateve në zbardhjen e vrasjeve në Gllogjan të Deçanit.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka theksuar se duhet të zbardhet krimi në Gllogjan duke kërkuar ndihmë edhe nga ndërkombëtarët.

“Nëse institucionet tona s’po bien në gjurmë të vrasësit/vrasësve, atëherë duhet kërkuar ndihmën te miqtë tanë. Në radhë të parë te institucionet e sigurisë amerikane. Prej pasluftës janë mbi 400 vrasje të pazbardhura. Secila vrasje duhet të zbardhet dhe posaçërisht vrasja e dy nxënësve dhe shoferit që ndodhi të premten në Gllogjan të Deçanit. Qeveria e Republikës së Kosovë nuk duhet të kursejë asgjë për të zbardhur vrasjen e trefishtë”, ka thënë deputetja Bajrami.

Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona, në mesin e tyre dy nxënës shkolle mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit, rreth 100 kilometra larg Prishtinës.

Motivi i të shtënave nuk është ende i qartë, por Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti është akt terrorist.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar së fundmi se…