Zëvendëskryeministri i Turqisë: Kosova ka shpëtuar nga një rrezik i madh
Zëvendëskryeministri i Turqisë, Hakan Çavusoglu, ka thënë se Kosova e ka shpëtuar vetën me rastin e dorëzimit të gjashtë shtetasve turq tek autoritetet turke.
Ai ka thënë se dëbimi i gjashtë gulenistëve, drejtues dhe profesorë në kolegjin “Mehmet Akif” ka qenë veprim i duhur për të dyja shtetet.
“Situata e zhvilluar në Kosovë është një favor i madh nga Kosova për të ardhmen e Turqisë. Prandaj, detyra këtu nuk është vetëm për të kapur terroristët dhe për t’i çuar ata para drejtësisë turke, por edhe për të shpëtuar Kosovën nga një rrezik dhe kërcënim i madh”, ka thënë Çavusoglu gjatë një takimi me gazetarë në qytetin Bursa, raporton Anadolu Agency.
Edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan gjatë fundjavës së kaluar kishte komentuar kapjen e gjashtë gulenistëve në Kosovë dhe dorëzimin e tyre në Turqi.