Zhduken drutë e Komunës së Prishtinë për rastet sociale

27 tetor 2018 | 23:52

Mbi 40 metra kub dru për djegie, janë konfirmuar si të vjedhura nga kjo depo e komunës në Gërmi, javë më parë. Lidhur me këtë Policia ka intervistuar disa persona.

Derisa hetimet po vazhdojnë, jo-zyrtarisht “KTV”-ja merr vesh se në mesin e të intervistuarve nga Policia janë 3 punëtorë të ndërmarrjes “Hortikultura”.

Në Lëvizjen Vetëvendosje! në kryeqytet thonë se nuk bëhet fjalë për vjedhje të rastësishme, por keqpërdorim të organizuar.

Ata, madje, dyshojnë në përfshirjen e njerëzve të pushtetit komunal në këtë vjedhje.

Asamblisti Egzon Azemi thotë se këto dru që kalojnë vlerën e 2000 eurove, do të duhej t’u ndaheshin familjeve në nevojë, raporton 038 në “KTV”.

Në ndërmarrjen “Hortikultura” kanë mohuar mundësinë e përfshirjes së punëtorëve të tyre në këtë rast.

E, edhe pse pjesa ku ka ndodhur vjedhja i përket zonës së kujdesit nga kjo ndërmarrje, përmes telefonit, kryeshefi i saj, Isak Rakovica, ka thënë se ndërmarrja nuk ka kurrfarë përgjegjësie për drutë e vjedhura, e as ato që kanë mbetur në këtë depo.

Sipas tij, drutë e vendosura aty janë të konfiskuara nga Inspeksioni Komunal dhe ai i Agjencisë së Pyjeve, andaj edhe ruajtja është përgjegjësi e tyre.

Përmes telefonit, kryeshefi i Agjencisë së Pyjeve, Ahmet Zejnullahu, ka thënë se depoja është në territorin që mbikëqyret nga Hortikultura dhe përgjegjësia bie mbi ta dhe Komunën e Prishtinës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Shtete e Bashkuara të Amerikës (ShBA), një person që…