ZKA: Cilësia e raportimit të performancës komunale nuk është në nivelin e duhur

28 shkurt 2024 | 18:09

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”. Subjekt i këtij auditimi kanë qenë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), komuna e Gjakovës, Klinës dhe Vitisë.

Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht progresit dhe masave të ndërmarra nga komunat për organizimin e brendshëm në deklarimin e performancës komunale, mekanizmat e kontrollit për sigurimin e cilësisë për të dhënat e raportuara nuk ishin funksionale, për shkak të mos evidentimit të komunikimit të zyrtarëve përgjegjës, mos aprovimit  të të dhënave nga kryetarët përkatës, si dhe mos shpërndarjes proporcionale të detyrave në mes zyrtarëve raportues.

Procesi i auditimit identifikoi mungesë të komunikimit dhe koordinimit efektiv në mes zyrtarëve raportues, koordinatorëve komunalë dhe kryetarëve të komunave, gjë që ka ndikuar që deklarimi i performancës komunale të mos jetë i bazuar në të dhëna të kontrolluara dhe të verifikuara.

Po ashtu mungesa e verifikimit fizik në terren nga MAPL-ja gjatë kohës së vlerësimit të performancës komunale dhe Grantit të Performancës Komunale (GPK) ka bërë që  të mos jenë efektivë mekanizmat e vendosur për të siguruar cilësi në raportimin e të dhënave të performancës komunale. Madje ka pasur edhe mosrespektim të vendimeve për komisionet për vlerësimin e procesit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale (SMPK) dhe kjo rrezikon transparencën dhe besueshmërinë e proceseve të vlerësimit.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca rekomandoi marrjen e  masave të menjëhershme për të adresuar çështjet e identifikuara nga procesi i auditimit në mënyrë që në të ardhmen të sigurohet menaxhim më efikas dhe më transparent i performancës komunale.

Me qëllim të përmirësimit të gjithë procesit, ZKA-ja përmes këtij raporti ka dhënë 11 rekomandime, tetë për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe tri për komunën e Gjakovës, Klinës dhe Vitisë.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021” e gjeni këtu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për të qenë gjithmonë produktivë dhe efikasë, lind nevoja e…