Zvicra shpresë për shqiptaret e Kosovës: Kaq viza lëshoi ambasada gjatë 2021-tës

02 janar 17:32

Shpesh herë për t’i ikur problemeve ekonomike me të cilat ballafaqohen në Kosovë, shumë të rinj zgjedhin që të marrin rrugën për ndonjë shtet tjetër.

Por edhe shumë prej qytetarëve të Kosovës aplikojnë për viza në mënyrë që të arrijnë të vizitojnë një vend të ri në botë, duke pas parasysh izolimin të cilin kosovarët po vazhdojnë ta kenë tash e sa vite.

Pamundësia për të udhëtuar lirshëm, të njëjtëve shpesh herë ua pamundëson edhe vizitat tek fëmijët, prindërit e familjarët të tjerë të cilët jetojnë në Zvicër, apo në vendet e tjera.

Por vetëm brenda një 11 muajve të vitit 2021, Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka lëshuar 12 mijë e 842 viza.

Këto viza të lëshuara nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë janë të llojit: vizitë familjare, turizëm por edhe 90 ditë pa të drejtë pune.

E sipas të njëjtëve deri në fund të vitit 2021 lëshohen rreth 15 mijë viza të llojit C.

“Deri në fund të nëntorit të këtij viti janë lëshuar 12843 viza të llojit C (vizitë familjare, turizëm, 90 ditë pa të drejtë pune). Deri në fund të vitit do të lëshohen rreth 15000 viza të llojit C.”, u tha në përgjigjen e ambasadës zvicerane për lajmi.net.

Por 95 përqind e vizave të lëshuara nga Ambasada e Zvicrës me seli në Kosovë ishin për bashkim familjar.

Shumë kosovarë të cilët duan të bashkohen me më të dashurit e tyre të cilët jetojnë në Zvicër padyshim se duhet të plotësojnë një sërë kërkesash në mënyrë që të arrijnë pajisjen me vizë nga ambasada zvicerane.

“Shumica sosh janë viza të llojit C të lëshuara për qëllime vizitash familjare, ndërsa sa u përket vizave të llojit D (bashkim familjar, viza pune, viza studentore) – 95% sosh janë lëshuar për bashkim familjar”, u theksua nga Zyra për Informim e ambasadës.

Por për dallim nga ambasada gjermane që shumicën e vizave të cilat lëshohen nga ajo janë për mundësi pune, nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë viza të tilla janë lëshuar mjaft pak.

Sipas kësaj ambasade të dhëna të sakta sa i përket statistikave për këtë nuk ka, por që janë më pak se 50 viza pune të cilat janë lëshuar përgjatë vitit 2021.

“Nuk kemi dhe nuk mund të nxjerrim statistika rreth numrit të vizave të punës të lëshuara nga ambasada jonë, por mund t’ju themi se janë më pak se 50 në vit”, u tha nga Ambasada.

Duke pas parasysh të dhënat e lartcekura vlen të ceket se çdo ditë e më shumë Zvicra po bëhet vend i dëshiruar për të jetuar nga shumë banorë të shteteve të ndryshme, e padyshim se këtu nuk mungojnë as qytetarët e Kosovës.

Thuajse nga viti në vit aplikimi për pajisje me viza në shtetin zviceran është rritur. Nëse kthehemi pas vlen të ceket se gjatë vitit 2019 ishin gjithsej 2 mijë e 334 kosovarë të cilët ishin pajisur me viza nga Ambasada e Zvicrës.

Zvicra si një shtet i fuqishëm ekonomikisht vazhdon të mbetet një nga rrugët e shpresës për shumë kosovarë, për një jetë më të mirë si dhe për bashkim me më të dashurit e tyre të cilët ndër vite jetojnë në atë vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aplikacionet janë një nga shpenzuesit më të mëdhenj të baterisë…