Zyrtari i KFOR-it pyetet nga Specialja për uniformat që mbante UÇK-ja

22 maj 2024 | 11:55

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është duke vazhduar edhe të mërkurën dëshminë dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Johan Fritsch në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në fillim të seancës, dëshmitari është marrë në pyetje nga prokurorja Vega Iodice, e cila është fokusuar në uniformat anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë periudhës sa KFOR-i ishte me mision në Prizren nga 13-14 qershorit 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitarit i është prezantuar një video në të cilën është thënë se dukej një person me uniforma të zeza për të cilat, ai ka thënë se relativisht shpesh ka parë veshje të tilla.

“Po realitivisht shpesh në ato ditë janë parë uniforma të tilla”, ka thënë ai.

Fritsch ka thënë se nuk është i sigurt se cilat formacione i përdornin këto uniforma, por që mendon se i përdorte policia ushtarake e UÇK-së.

Mirëpo, dëshmitari ka thënë se kishte përzierje të uniformave dhe nuk ishin të gjithë anëtarët e njëjtë që përdornin uniforma të njëjta.

“Po, kishte përzierje të ndryshme të uniformave të pjesshme. Kishte persona që ishin të veshur me të zeza, disa kishin të veshur me lara-lara, disa ishin të veshur me uniforma të përziera e të tjerë. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre kishin një shenjë dalluese e që ishe shqiponja e zezë”, ka thënë Fritsch.

Ai gjithashtu ka thënë se gjatë kohës që kanë qenë me mision në Prizren, në ditët e para kanë parë patrullime të UÇK-së në rrugë.

“Po, gjatë ditëve të para, pasi ne u futëm në vend, domethënë pas datës 13 dhe 14 qershor relativisht për një periudhë të shkurtë i kemi parë këto gjëra”, ka thënë Fritsch.

Oficeri i KFOR-it ka thënë se patrullimi i UÇK-së në rrugët e Prizrenit ishte për shkak se këta të fundit donin të mbushnin vakumin që ishte krijuar pasi që ushtria jugosllave ishte në largim dhe KFOR-i ishte në ardhje.

“Kur forcat e KFOR-it u futën në Kosovë, pala jugosllave duhej te tërhiqej sipas marrëveshjes nga Kosova brenda pak ditësh. Pra, forcat e KFOR-it po futeshin ne Kosovë dhe për një periudhë të shkurtër kohore ekzistoi një lloj vakumi dhe UÇK-ja donte që ta mbushte këtë vakum…”, ka thënë Fritsch, duke shtuar se në ditët e para kishte prani të madhe të UÇK-së në qytet ndërsa më vonë kishte vetëm pak individë.

Me kaq ka përfunduar pyetjet Prokuroria, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Thaçit përmes avokates Nina Tavakoli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë startuar seritë e ndeshjeve finale në NBA. Boston Celtics…