Nuk frikësohemi nga mocionet e mosbesimit

27 qershor 2018 | 14:40

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka bërë me dije se Qeveria është duke funksionuar pa ndonjë problem dhe se nuk ka arsye të mendohet se nuk do të mund ta çojë mandatin deri në fund.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kabineti qeveritar po funksionon si një trup i vetëm, me qasje më serioze në shëndetësi, mirëqenie sociale, sundim të rendit dhe ligjit, në integrime euroatlantik, si dhe në zhvillim ekonomik. Sipas Tahirit, në aspektin e qeverisjes nuk parashihet të ketë ndonjë deficit që do ta cenonte jetëgjatësinë e Qeverisë Haradinaj. Ai ka thënë se koalicioni qeverisës nuk ka arsye të frikësohet nga mocionet e mosbesimit dhe as nga iniciativat e tjera opozitare. Tahiri ka theksuar se një opozitë produktive është në të mirë të Qeveri.

“Epoka e re”: Z. Tahiri, nga jashtë po duket i zbehtë roli i PDK-së në këtë qeverisje. Sa jeni të kënaqur me funksionimin  e koalicionit qeverisës PDK-AAK-Nisma dhe të tjerët?
Tahiri: Në radhë të parë konsideroj se Partia Demokratike e Kosovës në këtë koalicion, si partia më e madhe, është e përkushtuar për ta siguruar qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e qeverisjes dhe këtë është duke arritur ta bëjë me vendosmëri. Prandaj jo vetëm se nuk është zbehur roli i PDK-së në këtë mandat qeverisës si partner koalicioni por, përkundrazi, është pikërisht PDK-ja ajo e cila është duke gjeneruar garancitë politike që koalicioni të rrugëtojë tutje për përmbushje të mandatit qeverisës dhe për përmbushje të objektivave politike në funksion të zhvillimit ekonomik, social e politik në Republikën e Kosovës. Natyrisht si koalicion i disa forcave politike ne jemi pjesë e një qeverie unike e cila funksionon në unitet të plotë dhe në këtë drejtim, suksesi dhe performanca është e përbashkët, prandaj nuk ka asnjë lloj drejtimi të gjërave në performanca të caktuara që flasin se roli i kujt është dominant. Për ne është me rëndësi që si partnerë qeverisës t’i përmbushim obligimet tona ndaj qytetarëve dhe të njëjtën gjë e presim edhe nga partnerët e tjerë të koalicionit.

“Epoka e re”: Si partnerë qeverisës, a jeni pro vendimit të kryeministrit për rritjen e pagave, sepse ministri Hamza ka kundërshtuar këtë vendim?
Tahiri: Çështja e pagave është bërë temë diskutimi që ka tërhequr vëmendjen për një kohë të gjatë tashmë. Unë respektoj plotësisht edhe diversitetin e qëndrimeve në raport me vendimin e Qeverisë për pagat, dhe mendoj se një debat i tillë i zhvilluar tashmë që një kohë të gjatë ka kontribuar në përshpejtimin e rregullimit të kësaj çështje me ligj. Natyrisht, si ministër i Qeverisë, pavarësisht prej konstatimeve dhe parimeve personale që mund t’i kemi në përditshmërinë tonë, mendoj se ne jemi të thirrur për t’i zbatuar vendimet e nxjerra nga Qeveria.

“Epoka e re”: Mund ta çojë mandatin deri në fund kjo Qeveri, sepse disa herë opozita ka përmendur mocion mosbesimi?
Tahiri: Qeveria është instrument konkret i përbërë nga një formulë e caktuar e partive politike që fitojnë zgjedhjet dhe në të cilën ndahet me pajtim fuqia politike e gjithsecilit partner qeverisës. Në këtë drejtim, Qeveria është duke funksionuar pa ndonjë problem dhe se për nga aspekti strukturor, nuk ka pse të mendohet se Qeveria Haradinaj nuk do të mund ta çojë mandatin deri në fund. Ndërsa përveç anës strukturore, pra Qeverisë, ende më e rëndësishme është qeverisja dhe fryma që e karakterizon atë. Në këtë drejtim Qeveria funksionon si një trup i vetëm, mbi parimet dhe objektivat që i ka përcaktuar. Kur jemi te qeverisja, mendoj se tashmë është duke ndodhur një ndryshim i theksuar në disa drejtime të rëndësishme siç është një qasje më serioze në sektorin e shëndetësisë, mirëqenies sociale, sundimit të rendit dhe ligjit, dhe se është ndërtuar një klimë më e përshtatshme për integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe social, si dhe pozicionimin e Kosovës si një shtet me perspektivë të garantuar evropiane. Unë mendoj se ne si Qeveri, fokusin kryesor jemi duke e orientuar në këto tema. Natyrisht ka edhe plot sfida nga të cilat nuk kemi qenë imunë për asnjë moment, por e veçanta e kësaj mënyre të qeverisjes, pjesë e së cilës jemi, është orientimi drejt zgjidhjes së këtyre problemeve e jo thjesht identifikimi i tyre. Në rrethana të zakonshme, edhe në aspektin e qeverisjes, nuk parashihet të ketë ndonjë deficit që do ta cenonte jetëgjatësinë e Qeverisë Haradinaj. Opozita në anë tjetër duhet të ketë një rol aktiv dhe të orientuar në debatet që lidhen me cilësinë e qeverisjes e jo vetëm të orientuara në debatet politike se kush është duke qeverisur dhe me kë. Prandaj, ne nuk kemi pse të frikësohemi nga mocionet e votëbesimit dhe as nga iniciativat e tjera opozitare sepse në esencë një opozitë produktive është në të mirë edhe të Qeverisë. Kjo, megjithatë, nuk e amniston opozitën që të kërkojë zgjedhje të reja pa arsye, vetëm për faktin se është opozitë.

“Epoka e re”: Këto ditë është përfolur shumë çështja e zgjedhjeve të parakohshme. Sa është e përgatitur PDK-ja për to?
Tahiri: Diskursi politik që zhvillohet në Kosovë është mjaft i pasur dhe për përmbajtjen e tij një rol të madh kanë edhe intelektualët, shoqëria civile, mediet, partitë politike që marrin pjesë në jetën parlamentare dhe jashtë saj. Diskutimet e tilla janë të zakonshme, por në rastin konkret dhe në kohën dhe hapësirën kur po flasim, zgjedhjet nuk janë duke u shtruar si alternativë brenda PDK-së. Për ne, primar është fokusi në politika publike cilësore që ndikojnë për të mirë në jetën e qytetarëve tanë dhe këtë fokus do ta mbajmë vazhdimisht si partner qeverisës. Përderisa fokusi ynë është diku tjetër, është e paqëndrueshme të flasim se a jemi të përgatitur për zgjedhje apo jo. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës është gjithmonë e gatshme për t’u testuar përmes zgjedhjeve sepse forca e saj nuk qëndron në përgatitjet e zgjedhjeve, por në idetë dhe parimet mbi të cilat është e ngritur dhe ka rrugëtuar përgjatë këtyre viteve.

“Epoka e re”: Keni kërkuar përfundimin e reformës zgjedhore. Çfarë do të bëjë PDK-ja në këtë drejtim?
Tahiri: PDK-ja e udhëhequr nga z. Veseli, krahas përmbushjes së misionit politik e institucional, është duke u kushtuar rëndësi temave që janë pjesë e identitetit tonë si shoqëri demokratike, në mesin e të cilave edhe reforma zgjedhore. Ne mendojmë se është momenti që të hedhim në diskutim idetë tona mbi atë se çfarë reforme na duhet dhe në çfarë drejtimesh mund të formulojmë një sistem të përshtatshëm elektoral që garanton sigurinë, barazinë, si dhe përkthimin e saktë të besimit të qytetarëve të dhënë përmes votave në përgjegjësi politike. Në këtë drejtim, ne kemi kërkuar nga të gjitha partitë e tjera që të shtrojmë bashkërisht një diskurs të gjerë ku mund t’i ballafaqojmë pikëpamjet tona në lidhje me të ardhmen e sistemit zgjedhor në Republikën e Kosovës. Ekspertët tanë veçse janë duke punuar për formulimin e pikëpamjeve tona politike mbi këtë çështje dhe jemi shumë të hapur dhe insistues që gradualisht ta përmbyllim këtë reformë të folur për vite të tëra.

“Epoka e re”: Z. Tahiri, si është duke u zhvilluar procesi i brendshëm zgjedhor në PDK? Është caktuar mbajtja e konventës zgjedhore dhe a do ta kemi një PDK më të konsoliduar pas këtyre zgjedhjeve?        Tahiri: Procesi zgjedhor ka rrjedhur në përgjithësi jashtëzakonisht mirë dhe tashmë pothuajse janë përmbyllur mbledhjet konstitutive të strukturave të reja të rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës në të gjitha qytetet e Kosovës. Kjo fazë e zgjedhjeve në rininë e PDK-së që do të përfundojë në javën e parë të korrikut, siç dhe ishte planifikuar, është karakterizuar me potencialet e reja që i janë bashkangjitur vizionit të PDK-së dhe z. Veseli dhe jemi të bindur se trendi i tillë i rritjes së PDK-së do të reflektohet edhe në kuadër të konventës zgjedhore ku do të ketë hapësirë për intelektualë të rinj që t’i marrin përsipër përgjegjësitë politike. Pas përmbylljes së zgjedhjeve në strukturat rinore do të vazhdojmë sipas planit edhe me organizimin e Konventës Zgjedhore, së cilës jemi duke i kushtuar vëmendje të plotë që të karakterizohet nga mendësia e temave për të cilat do të qëndrojë PDK-ja në Dekadën e Re. Në aspektin tjetër, PDK-ja ka qenë dhe është parti shumë mirë e konsoliduar, megjithatë zgjedhjet e brendshme si dhe vizioni i z. Veseli si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës për dekadën në të cilën kemi hyrë, do të shënojë një diferencë të madhe dhe, mbase, të pakrahasueshme me formatin e funksionimit të deritanishëm të ndonjë partie politike në Republikën e Kosovës. Z. Veseli është jashtëzakonisht i përkushtuar që PDK-ja e Dekadës së Re të jetë PDK-ja që do ta ofrojë alternativën më të mirë jo vetëm të integritetit, gjithëpërfshirjes dhe politikave publike të mirëfillta, por edhe në përqendrimin ideor që lidhet me identitetin tonë si shoqëri progresive dhe e gatshme për t’u zhvilluar krahas trendëve demokratikë, ekonomikë, politikë e socialë, duke zbritur referencat e politikës nga çështjet e përgjithshme në nivelin e individit dhe komunitetit, dhe duke i njohur e fuqizuar pjesëtarët e shoqërisë sonë pa dallim, para çdo gjëje tjetër, statusin e qytetarit që i garanton atij lirinë, zhvillimin dhe mirëqenien.

Shqipe Hetemi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jeton ARIFI, M.A. Diplomaci Dita e fundit e qershorit nuk…