Brukseli ka vlerësim unanim se janë përmbushur kushtet për liberalizim

17 maj 2018 | 17:17

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë me dije se në Bashkimin Evropian ka vlerësim unanim se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

Ai ka thënë se në kryeqendrën e BE-së ka një vendosmëri që ky proces të lëvizë përpara me shpejtësi të madhe. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, pas vizitës në Bruksel, Hoxhaj ka treguar se qëllimi i kësaj vizite ishte që ta marrë një plan kohor se kur fillon vendimmarrja në Bruksel për këtë proces dhe brenda çfarë periudhe kohore qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza. “Ka një vlerësim unanim në Bruksel se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Po ashtu, ka një vendosmëri që procesi të lëvizë përpara me shpejtësi të madhe”, është shprehur Hoxhaj.

Ndonëse nuk ka përmendur ndonjë datë se kur mund të lëvizin qytetarët e Kosovës pa viza, ai ka lënë të kuptohet se kjo mund të ndodhë gjatë këtij viti. Sipas tij, data e saktë do të dihet vetëm pas vendimmarrjes në institucionet e BE-së. “Se sa do të zgjasë kjo fazë është diçka që do të duhen disa javë, pastaj mund të hyjmë në një qartësi se kur Komisioni Evropian mund të marrë vendim që qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt Evropës. Por, ka një shpejtësi të re, një vullnet të ri për këtë çështje. Nuk ka ndonjë paqartësi, por ka një partneritet të mirëfilltë në mes të partnerëve evropianë që të na ndihmojnë në një proces të tillë”, ka thënë Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka deklaruar se tani institucionet e Kosovës duhet të fokusohen te lobimi nëpër disa vende kyçe të BE-së. Hoxhaj ka theksuar se në këtë proces nuk ka vend për pesimizëm. “Besoj se nuk ka arsye për pesimizëm por, përkundrazi, ka arsye për optimizëm. Ne duhet të shohim që ta mbajmë gjallë këtë agjendë dhe në vend se të japim data në Prishtinë, të bëjmë punë konkrete lobuese në Bruksel dhe në qendrat e tjera evropiane”, ka thënë Hoxhaj.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, sapo keni përmbyllur një vizitë në Bruksel. Cili ishte qëllimi i saj?
Hoxhaj: Qëllimi i vizitës sime në Bruksel ka qenë të marrim një plan kohor se kur fillon vendimmarrja në Bruksel sa i takon procesit të liberalizimit të vizave, pra kur përmbyllet ky proces dhe kur do të mund të udhëtojnë qytetarët e Kosovës pa viza drejt Evropës. Sikurse në Kosovë që ka një procedurë kur Qeveria merr vendime dhe duhet t’i sjellë në parlament, po ashtu edhe në Bruksel duhet të ketë një vendim të Komisionit Evropian që në këtë rast është ekzekutivi i BE-së, që ia jep një propozim Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, i cili përbëhet prej shteteve anëtare me qëllim që të përmbyllet sa më shpejt ky proces.

“Epoka e re”: Çfarë është vlerësimi i zyrtarëve të BE-së dhe zyrtarëve të vendeve anëtare rreth përmbushjes së kushteve për liberalizim të vizave nga ana e Kosovës?
Hoxhaj: Ka një vlerësim unanim në Bruksel, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Po ashtu, ka një vendosmëri që procesi të lëvizë përpara me shpejtësi të madhe.

“Epoka e re”: Kur mund të presim një vendim të institucioneve të BE-së për liberalizim të vizave?Hoxhaj: Sipas procedurave, Komisioni Evropian ka dërguar një grup të ekspertëve i cili ka qëndruar në Prishtinë javën e kaluar. Ky grup i ekspertëve duhet ta hartojë një raport, i cili pastaj nga Komisioni Evropian do të shkojë fillimisht në një komision pranë Parlamentit Evropian që merret me viza dhe të cilin e udhëheq Tanja Fajon. Pastaj, Komisioni Evropian me Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian duhet të zhvillojnë një lloj komunikimi rreth përmbushjes së kritereve, duke i përfshirë këto të fundit, sikurse ka qenë demarkacioni me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar. Se sa do të zgjasë kjo fazë është diçka që do të duhen disa javë, pastaj mund të hyjmë në një qartësi se kur Komisioni Evropian mund të marrë vendim që qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt Evropës. Por, ka një shpejtësi të re, një vullnet të ri për këtë çështje. Nuk ka ndonjë paqartësi, por ka një partneritet të mirëfilltë në mes të partnerëve evropianë që të na ndihmojnë në një proces të tillë.

“Epoka e re”: Çfarë do të thotë ky vullnet i ri nga ana e institucioneve të BE-së?
Hoxhaj: Vullneti i ri dhe vendosmëria kanë të bëjë me atë se Kosova i ka kryer punët të cilat do të duhej t’i kryente. Ne nuk jemi në gjendje t’u caktojmë datë atyre në kuptimin e javëve dhe muajve, por u takon vetë institucioneve të BE-së të dalin me një plan kohor dhe ta përmbushin procesin e konsultimeve të brendshme dhe ta mbyllin këtë proces. Në të njëjtën kohë ne duhet të shohim se si duhet të bashkëpunojmë me disa shtete anëtare të BE-së, veçanërisht me Gjermaninë, ku kam qëndruar para dy jave, me Francën, me Austrinë, por edhe me Holandën, Belgjikën, si dhe disa shtete anëtare, meqë vendimmarrja e Komisionit Evropian është një vendimmarrje ku vendos komisionari për Migrim dhe Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, të cilin e kam takuar gjatë kësaj vizite dhe komisionarin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn. Besoj se nuk ka arsye për pesimizëm por, përkundrazi, ka arsye për optimizëm. Ne duhet të shohim ta mbajmë gjallë këtë agjendë dhe në vend se të japim data në Prishtinë, të bëjmë punë konkret lobuese në Bruksel dhe në qendrat e tjera evropiane.

“Epoka e re”: Ka ndonjë shtet anëtar të BE-së i cili mund të paraqesë ndonjë pengesë në këtë proces? Frika çdoherë është te pesë vendet që ende nuk e kanë njohur ende Kosovën shtet?
Hoxhaj: Jo. Mënyra se si merret vendimi ka të bëjë me shumicë të kualifikuar që janë 55 për qind e votave, e cila nënkupton 65 për qind të popullatës së BE-së. Unë kam folur edhe me vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet dhe të cilat janë mbështetëse të këtij procesi. Kështu që, nuk shoh se mund të dalë ndonjë problem rrugës. Mirëpo, procesi derisa të mbyllet do të zgjasë disa muaj, mandej do të merret vendimi, pastaj dihet data e saktë se kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza drejt BE-së.

“Epoka e re”: Në bazë të dinamikës që keni parë nga afër, mund të presim që të lëvizim pa viza gjatë këtij viti?
Hoxhaj: Nuk jam ithtar i saj që ne nga Prishtina t’i japim afate dikujt në Bruksel, apo nga Prishtina t’i japim afate dikujt në Berlin, Paris, apo në qendrat e tjera evropiane. Ajo çfarë mund të them është se vendet e rajonit, prej kohës kur është mbyllur procesi i konsultave të brendshme në Bruksel, pra mes institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare, ky proces është përmbyllur brenda disa muajve. Në vitin 2009, në një afat kohor 6 deri në 7 muaj, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi kanë mundur të udhëtojnë pa viza drejt BE-së. Pra, është një proces i cili mund të marrë disa muaj kohë, por nuk jam për atë që ne në Prishtinë të kultivojmë një gjuhë dhe një diskurs agresiv. Jam për atë që aty ku merren vendimet të jemi të prerë dhe ta dimë se çfarë po duam.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një përplasje verbale ka ndodhur në mes të kryesuesit të…