Diplomacia e Kosovës duhet të jetë më aktive

01 korrik 2018 | 13:13

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njohësi i proceseve politike, Ibrahim Gashi, ka thënë të premten se diplomacia e Kosovës duhet të jetë më aktive, më e koordinuar dhe më e efektshme ndaj ofensivës serbe kundër njohjes së pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se diplomacia ka nevojë për një riorganizim më të mirë bazuar në kualitete e meritokraci dhe jo në nepotizëm e përkatësi partiake.

“Diplomacia, sikundër edhe ushtria e një shteti, duhet të jenë mbipartiake. Ka shumë diplomatë tashmë të dëshmuar që Ministria e Punëve të Jashtme nuk i angazhon në tërë kapacitetin e tyre dhe shumë të tjerë me kualitete të munguara që marrin detyra dhe përgjegjësi të larta”, është shprehur Gashi.

Kurse sa i përket dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ai ka thënë se ky proces në këtë fazë kërkon unitet, konsensus dhe konstruktivitet mbarinstitucional. Gashi ka bërë thirrje që edhe partitë opozitare të përfshihen në dialog.

“Ajo nuk duhet të lihet, por as të qëndrojë jashtë këtij procesi. Pra, opozita sinqerisht duhet të ftohet për të kontribuar në këtë proces, ndërsa ajo nga ana e saj duhet sinqerisht ta ndihmojë procesin, pa pretenduar që në një çështje madhore si kjo të kalkulojë përfitime politike, duke mos marrë asnjë përgjegjësi. Përfshirja e gjerë në proces, konform kapacitetit legal të secilit institucion, si dhe transparenca e llogaridhënia janë të domosdoshme. Kuvendi (pozitë e opozitë) duhet të jetë më shumë i impenjuar me këtë çështje dhe ai duhet të vendosë si do të jetë formati i bisedimeve në këtë fazë”, ka deklaruar ai.

Në këtë intervistë Gashi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, duke thënë se pret rekomandim pozitiv. Sipas tij, çdo vendim tjetër do të ishte zhgënjyes.

“Epoka e re”: Z. Gashi, Kosova dhe Serbia tashmë kanë nisur fazën finale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve. Si e shihni epilogun e këtij procesi, ka shanse të arrihet marrëveshja e pajtimit?
Gashi: Konsideroj se dialogu me Serbinë që nga fillimi nuk ka qenë i lehtë. Prej fillimit pala serbe ka mbajtur qëndrime mohuese ndaj shtetit të Kosovës, ani pse ka nënshkruar një numër të marrëveshjeve, të emërtuara si marrëveshje për çështje teknike. Ç’është e vërteta, përmes këtyre marrëveshjeve, edhe pse vetëm pjesërisht të zbatuara, është arritur një shkallë relative e shtensionimit të marrëdhënieve midis dy shteteve. Tani kur, siç po thuhet, kemi hyrë në fazën finale të dialogut, bisedimet do të bëhen më të vështira dhe vendimet për marrëveshje do të jenë tërësisht politike. Serbia është e interesuar të fitojë në kohë, duke gjetur çfarëdo arsye për ta prolonguar arritjen e ndonjë marrëveshje përfundimtare që do të kishte si produkt njohjen e shtetit të Kosovës. Mendoj se ajo do të jetë e interesuar të gjejë, apo inskenojë çfarëdo preteksti për ta akuzuar palën e Kosovës si fajtore për ndërprerjen apo shtyrjen e bisedimeve. Kjo nënkupton se ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe të përgatitur që të shmangim çfarëdo skenari serb për ndërprerjen e bisedimeve me fajin e Prishtinës.

“Epoka e re”: Megjithatë, në Kosovë ende nuk është arritur konsensusi i gjerë politik që presidenti Thaçi t’i vazhdojë bisedimet me presidentin Vuçiq. Duke pasur parasysh kundërshtimin e partive opozitare për ta mbështetur Thaçin në këtë dialog, ka gjasa të arrihet konsensusi dhe të formohet një ekip i unitetit, pjesë e të cilit do të ishte i gjithë spektri politik?
Gashi: Procesi i dialogut, veçmas në këtë fazë kërkon unitet, konsensus, por edhe konstruktivitet politik mbarë institucional. Secili subjekt politik, por edhe shoqëria civile dhe media, duhet të vihet në funksion të mbrojtjes dhe të afirmimit sa më të madh të interesave të shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës. Nëse e kemi identifikuar se afirmimi i plotë i shtetit të Kosovës do të ndodhë pas normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë si parakusht për anëtarësim të Kosovës në OKB, atëherë të gjithë duhet ta ndihmojmë këtë proces. Kjo nënkupton se në radhë të parë Qeveria, Kuvendi dhe presidenti duhet të punojnë ngushtë tani e tutje lidhur me dialogun. Kur them Kuvendi mendoj edhe në opozitën. Ajo nuk duhet të lihet, por as të qëndrojë jashtë këtij procesi. Pra, opozita sinqerisht duhet të ftohet për të kontribuar në këtë proces, ndërsa ajo nga ana e saj duhet sinqerisht ta ndihmojë procesin, pa pretenduar që në një çështje madhore si kjo të kalkulojë përfitime politike, duke mos marrë asnjë përgjegjësi. Përfshirja e gjerë në proces, konform kapacitetit legal të secilit institucion, si dhe transparenca e llogaridhënia janë të domosdoshme. Kuvendi (pozitë e opozitë) duhet të jetë më shumë i impenjuar më këtë çështje dhe ai duhet të vendosë si do të jetë formati i bisedimeve në këtë fazë.

“Epoka e re”: Përderisa në Bruksel po vazhdon ky dialog, në anën tjetër Serbia ka nisur një fushatë kundër njohjeve të Kosovës, madje nga vende të ndryshme të botës po kërkon t’i tërheqin vendimet për njohjen e pavarësisë. Si duhet t’i kundërpërgjigjet Kosova kësaj ofensive të diplomacisë serbe?
Gashi: Serbia që nga 17 shkurti i vitit 2008 nuk ka reshtur së punuari për minimin e pavarësisë së Kosovës, e sidomos në planin ndërkombëtar. Fatmirësisht, efektet e këtij lobimi serb jo gjithmonë kanë arritur efektet e tyre, edhe për faktin e mbështetjes së madhe të diplomacisë së shteteve të fuqishme mike të Kosovës, por edhe falë aktiviteteve të diplomacisë së Kosovës. Kjo e fundit ka mundur dhe mund të jetë më aktive, më e koordinuar dhe më e efektshme. Duhet më shumë aktivitete të diplomacisë zyrtare të shtetit të Kosovës, të diplomacisë parlamentare, edhe të diplomacisë publike.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për punën e diplomacisë së shtetit të Kosovës gjatë kësaj periudhe qeverisës, ku nuk ka pasur shtim të numrit të njohjeve si dhe anëtarësim të vendit në organizata ndërkombëtare? Cili duhet të jetë fokusi i saj tash e tutje?
Gashi: Ministria e Punëve të Jashtme ka nevojë për një riorganizim më të mirë të diplomacisë, të bazuar në kualitete dhe meritokraci dhe jo në nepotizëm dhe përkatësi partiake. Diplomacia, sikundër edhe ushtria e një shteti, duhet të jenë mbipartiake. Ka shumë diplomatë tashmë të dëshmuar që Ministria e Punëve të Jashtme nuk i angazhon në tërë kapacitetin e tyre dhe shumë të tjerë me kualitete të munguara që marrin detyra dhe përgjegjësi të larta.

“Epoka e re”: Z. Gashi, në fillim të muajit korrik pritet vendimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Prisni rekomandim pozitiv? Në përgjithësi, si e shihni ecurinë e Kosovës sa i përket agjendës evropiane?
Gashi: Pres vendim pozitiv. Çdo vendim tjetër do të ishte zhgënjyes. Madje çdo përpjekje e Brukselit apo e kujtdo qoftë për të arsyetuar një vendim negativ do të ma lëkundte besimin në vlerat që promovojnë institucionet e BE-së. Përveç liberalizimit, pjesa tjetër e agjendës evropiane varet shumë nga ne, nga normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët, por edhe nga reformat e brendshme për të përafruar funksionimin e shtetit tonë me standardet dhe legjislacionin e BE-së.

(Shqipe HETEMI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Është titulli i një publikimi…