Reka: Serbia në BE, Kosova në OKB

22 prill 2018 | 12:23

Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bruksel, njëherësh profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka, ka deklaruar se raporti i progresit ia ka bërë të qartë Serbisë se pa e njohur Kosovën nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE).

Ai ka vlerësuar se në gjysmë të negociatave për anëtarësim në BE, Serbia do të detyrohet ta zhbllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB si parakusht për anëtarësim në BE.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Reka ka deklaruar se kur të vijë te negocimi i kaptinës 35, Serbia do t’ia dëshmojë BE-së se çfarë shteti është dhe cilët janë kufijtë e saktë të saj.

“Normalizimi i raporteve me Kosovën nuk është vetëm parakusht politik, por është edhe kusht teknik, që del nga kaptina 35 e ‘acquis communautaire’. Pa definimin e kufijve të saktë dhe të qartë, Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE. Besoj se në gjysmë të procesit negociator, brenda dy vjetësh, Serbia do të detyrohet ta njohë Republikën e Kosovës, do të detyrohet ta zhbllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB si parakusht për anëtarësim në BE. Me fjalë të tjera, kancelarja Merkel dhe BE-ja ia kanë bërë shumë qartë opsionin Serbisë: Serbia në BE, Kosova në OKB”, ka thënë Reka.

Ai ka vlerësuar se vetë fakti që në raport thuhet se normalizimi i marrëdhënieve duhet të përfundojë me një marrëveshje obliguese juridike, nënkuptohet se njohja reciproke është e pashmangshme.

“Për të qenë të kujdesshëm, ata ndoshta në këtë fazë të parë nuk e thonë decidivisht njohjen reciproke, përkatësisht njohjen e Republikës së Kosovës. Mirëpo çfarëdo zbërthimi, çfarëdo interpretimi juridiko-kushtetues dhe juridiko-ndërkombëtar i këtij formulimi nga raporti i progresit dhe i dokumenteve të mëparshme nga dialogu i Brukselit, ku thuhet në përfundim me një marrëveshje juridike, udhëzon në nënshkrimin e traktit shtetëror Serbi-Kosovë”, është shprehur ai.

Duke folur për raportin e fundit të progresit për vendet e rajonit, Reka ka vlerësuar se kërcënimet gjeopolitike e rikthyen Ballkanin në orbitën e politikës së zgjerimit të BE-së. Sipas tij, në këtë raport BE-ja ka sjellë dy mesazhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Epoka e re”: Z Reka, Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Si e keni parë këtë raport?
Reka: Fillimisht duhet thënë se ky raport e vërteton tezën time të mëhershme, se procesi i zgjerimit të BE-së mbetet proces gjeopolitik dhe më pak teknik. Kjo shihet me riaktivizimin e këtij procesi vetëm para një viti kur u pa se kërcënimet gjeopolitike në dhe rreth Ballkanit gati kërcënuan se nga Ballkani të krijojnë një zonë vakuumi të sigurisë me ndërhyrje gjithnjë me të shpeshta të Rusisë, Turqisë dhe ekonomikisht të Kinës. Me fjalë të tjera, vetëm kur BE-ja e kuptoi se lënia pas dore për një dekadë e zgjerimit, siç e lanë me të ashtuquajturën satus quo, do ta rrezikonte jo vetëm rajonin, por do të vinte deri te kufijtë jugorë të Evropës dhe të BE-së. Këtë më së miri mund ta shihni me ndryshimin radikal të qëndrimit nga vetë kryetari i Komisionit Evropian, z. Junker, i cili para një viti ishte më skeptiku, duke thënë se nuk do të ketë zgjerim fare deri në vitin 2025. Kurse, vetëm në shkurt të këtij viti, me promovimin e strategjisë për zgjerim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, u bë një ristartim i këtij procesi. Pra, edhe një herë kërcënimet gjeopolitike e rikthyen Ballkanin pas 15 vjetësh në orbitën e politikës së zgjerimit të BE-së.

“Epoka e re”: Sa ka qenë real raporti për këto vende?
Reka: Ky raport është teknik. Komisioni Evropian vetëm lëshon raporte 90 deri 100 faqe teknike, por ato nuk janë politike. Vendimi politik do të merret në muajin qershor, në Samitin e Këshillit Evropian, kur shtetet anëtare do të vendosin nëse do t’i pranojnë raportet e Komisionit Evropian. Gjatë historisë ka ndodhur shpesh që raportet e KE-së kanë qenë pozitive, por në fund Këshilli i BE-së ka vendosur në mënyrë negative dhe anasjelltas. Megjithatë, Raporti i Progresit i KE-së për secilin vend kandidat paraqet një prerje njëvjeçare, në këtë rast gati dyvjeçare, sepse Raporti i fundit i Progresit është botuar në vjeshtën e vitit 2016 për të arriturat e vendeve kandidate në 35 kaptinat e “acquis communautaire”. Normalisht se ka pakënaqësi nga shtetet anëtare, shembull nga kjo që u publikua për gjashtë shtetet kandidate të BE-së duket se më të gëzuarit duhet të jenë Shqipëria dhe Maqedonia, për të cilat KE-ja ka rekomanduar fillimin e negociatave për anëtarësim. Në Serbi dhe Mal të Zi duket se raporti zbehi pak ngazëllim, duke shprehur vërejtjet dhe pakënaqësitë në ritmin jo aq të shpejtë të reformave. Ndërsa, në fund, me vlerësime me të rënda kaluan Bosnja Hercegovina dhe Kosova, si dy shtete që duhet të punojnë më tepër për reformim.

 “Epoka e re”: Cili mendoni se ka qenë mesazhi kryesor i BE-së për këto vende përmes këtij raporti
Reka: Pa hyrë tash në elaburimin e 35 kaptinave për secilin shtet, mendoj se ky raport ka emituar dy mesazhe për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Mesazhi i parë është se BE-ja nuk do të pranojë anëtar të ri pa zgjidhjen e problemeve të vjetra ndërfqinjësore bilaterale në mes të shteteve të Ballkanit. Me fjalë të tjera, BE-ja nuk do ta përsërisë gabimin që bëri me Qipron në vitin 2004. Pra, BE-ja nuk do më import të problemeve ballkanike brenda unionit. Derisa mesazhi i parë është politik, mesazhi i dytë është i brendshëm, institucional. Mesazhi i dytë i BE-së është se ky unionin nuk do të pranojë shtete të reja anëtare në BE pa dekriminalizimin e tyre. Kjo do të thotë se nuk mund të ketë shpresë për asnjë shtet të ri anëtar të BE-së, pa luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pa çlirimin e shtetit nga kapja dhe pa ndërtimin e një gjyqësori të pavarur. Pra, BE-ja dëshiron shoqëri të dekriminalizuar nga brenda dhe regjionalisht shoqëri që nuk kanë çështje të hapura kufitare, identitare, territoriale apo etnike midis fqinjëve.

“Epoka e re”: Në bazë të kësaj i bie se Serbia nuk do të mund të integrohet në BE pa i normalizuar raportet me Republikën e Kosovës?
Reka: Jo. Këtë herë në Raportin e Progresit për Serbinë vetëm u vërtetua ajo që kancelarja Merkel tri ditë para publikimit të këtij raporti i tha personalisht Vuçiqit në Berlin, se pa njohjen e Kosovës dhe pa normalizimin e raporteve me Kosovën, Serbia nuk mund të presë anëtarësim në BE. Kjo jo vetëm pse është një deklaratë verbale politike e kancelares gjermane, por sepse Serbia gjatë procesit negociator, kur të fillojë t’i hapë dhe t’i mbyllë 35 kaptinat e “acquis communautaire”, sidomos kur të vijë te kaptina 35, ajo duhet t’i dëshmojë BE-së se çfarë shteti është, çfarë kufijsh ka, dhe a i ka kufijtë e definuar. Mbajtjen pengë të Kosovës në botën virtuale të Serbisë vetëm në preambulën e saj kushtetuese nuk do ta pranojë BE-ja sepse, nëse t’i thua në dispozitat juridiko-kushtetuese se ke pjesë të territorit dhe nuk e ushtron sovranitetin me asnjë institucion shtetëror, atëherë defitinivisht Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në BE. Normalizimi i raporteve me Kosovën nuk është vetëm parakusht politik, por është edhe kusht teknik, që del nga kaptina 35 e “acquis communautaire”. Pa definimin e kufijve të saktë dhe të qartë, Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE. Besoj se në gjysmë të procesit negociator, brenda dy vjetësh, Serbia do të detyrohet ta njohë Republikën e Kosovës, do të detyrohet ta zhbllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, si parakusht për anëtarësim në BE. Me fjalë të tjera, kancelarja Merkel dhe BE-ja ia kanë bërë shumë qartë opsionin Serbisë: Serbia në BE, Kosova në OKB.

“Epoka e re”: Ky normalizim i raporteve Kosovë – Serbi do të thotë edhe njohje reciproke në mes të dy shteteve?
Reka: Edhe në raport thuhet ‘normalizimi i marrëdhënieve duhet të përfundojë me një marrëveshje obliguese juridike’. Ky formulim tipik i Brukselit nënkupton që nuk mund të ketë normalizim vetëm verbal pa një traktat ndërshtetëror, bilateral, me fuqi obliguese juridike. Vetëm marrëveshjet apo traktatet ndërshtetërore kanë fuqi obliguese juridike. Kjo është porosia. Për të qenë të kujdesshëm, ata ndoshta në këtë fazë të parë nuk e thonë decidivisht njohjen reciproke, përkatësisht njohjen e Republikës së Kosovës. Mirëpo çfarëdo zbërthimi, çfarëdo interpretimi juridiko-kushtetues dhe juridiko-ndërkombëtar i këtij formulimi nga Raporti i Progresit dhe i dokumenteve të mëparshme nga dialogu i Brukselit, ku thuhet në përfundim me një marrëveshje juridike, udhëzon në nënshkrimin e traktit shtetëror Serbi – Kosovë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Një botë pa plastikë” është motoja me të cilën në…