Salihu: Sistemi i drejtësisë ende nuk ka arritur të pavarësohet

13 qershor 2018 | 17:22

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka thënë se, pavarësisht prej të metave dhe dobësive, prania e mëtutjeshme e EULEX-it në Kosovë është e domosdoshme dhe e dobishme.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se gjendja e gjithëmbarshme politike dhe ajo në sistemin e drejtësisë kanë ndikuar që këtij misioni t’i vazhdohet mandati edhe për dy vjet.

“Prania e EULEX-it është e dobishme për arsye se ende sistemi ynë i drejtësisë, duke u nisur prej organeve të ndjekjes, prokurorisë e gjykatave, ka nevojë për ndihmën e ndërkombëtarëve. Duke pasur parasysh situatën në Kosovë, është e domosdoshme prania e EULEX-it më së paku për dy vjetët e ardhshëm. Sistemi ynë i drejtësisë në përgjithësi, por edhe situata e gjithëmbarshme politike e bën të pranueshme praninë  e EULEX-it me statusin e monitoruesit, mbështetësit dhe lehtësuesit në Kosovë”, ka deklaruar Salihu.

Ai ka bërë me dije se  ende institucionet vendore të drejtësisë nuk e kanë arritur nivelin e duhur për ta funksionalizuar shtetin ligjor. Sipas Salihut, sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur sepse në të ka interferime dhe ndikime nga politika.

“Edhe sot e kësaj dite institucionet tona të drejtësisë nuk e kanë arritur nivelin e duhur për ta funksionalizuar shtetin ligjor. Megjithatë, vazhdimi i mandatit të EULEX-it nuk ka ndodhur vetëm për shkak të të metave të sistemit të drejtësisë, por është edhe për rrjedhojë të situatës së gjithëmbarshme politike në Kosovë. Ende sistemi i drejtësisë nuk ka arritur konceptin e pavarësisë së duhur sepse ende ka interferime dhe ndikime të politikës. Kështu që, prania e EULEX-it në këtë aspekt është një lloj mekanizmi që në një masë e mbron sistemin e drejtësisë prej interferimeve politike të njerëzve që janë në pushtet”, është shprehur ai, duke shtuar se, nëse vazhdohet me këtë situatë, këtij misioni mund t’i vazhdohet mandati edhe pas dy vjetësh. Në këtë kontekst, ai ka thënë se edhe Gjykata Speciale  është një ndër arsyet që ka ndikuar t’i vazhdohet prania EULEX-it.

“Epoka e re”: Profesor, si e keni parë vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet të tjera në shtetin e Kosovës?
Salihu: Unë kam pritur se këtij misioni do t’i vazhdohet mandati. Madje këtë e pata thënë edhe në një intervistë të mëhershme, po në gazetën tuaj. Asokohe pata deklaruar se edhe pas 15 qershorit EULEX-i do të jetë i pranishëm në Kosovë, por në një format tjetër. Më vjen mirë që doli ashtu siç thashë, meqë Kosova ka nevojë për praninë ndërkombëtare edhe më tutje duke pasur parasysh situatën në sistemin tonë të drejtësisë si dhe situatën politike në përgjithësi. Sipas mendimit tim, prania e mëtutjeshme e EULEX-it është e domosdoshme dhe e dobishme për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Epoka e re”: Pse është e dobishme prania ndërkombëtare 19 vjet pas çlirimit dhe 10 vjet pas pavarësimit tonë?
Salihu: Prania e EULEX-it është e dobishme për arsye se ende sistemi ynë i drejtësisë, duke nisur prej organeve të ndjekjes, prokurorisë e gjykatave, ka nevojë për ndihmën e ndërkombëtarëve. Duke pasur parasysh situatën në Kosovë, është e domosdoshme prania e EULEX-it më së paku për këta dy vjetët e ardhshëm. Sistemi ynë i drejtësisë në përgjithësi, por edhe situata e gjithëmbarshme politike, e bën të pranueshme praninë  e EULEX-it me statusin e monitoruesit, mbështetësit dhe lehtësuesit në Kosovë.

“Epoka e re”: Vazhdimi i mandatit të këtij misioni tregon se institucionet vendore të drejtësisë ende nuk janë të përgatitura sa duhet dhe të pavarura për të vendosur rend dhe ligj në Kosovë?
Salihu: Edhe sot e kësaj dite institucionet tona të drejtësisë nuk e kanë arritur nivelin e duhur për ta funksionalizuar shtetin ligjor. Megjithatë, vazhdimi i mandatit të EULEX-it nuk ka ndodhur vetëm për shkak të metave të sistemit të drejtësisë, por është rrjedhojë edhe e situatës së gjithëmbarshme politike në Kosovë. Ende sistemi i drejtësisë nuk ka arritur konceptin e pavarësisë së duhur sepse ende ka interferime dhe ndikime të politikës. Kështu që, prania e EULEX-it në këtë aspekt është një lloj mekanizmi që në një masë e mbron sistemin e drejtësisë prej interferimeve politike të njerëzve që janë në pushtet. Edhe kjo është një prej shkaqeve që e arsyeton praninë ndërkombëtare në sistemin tonë të drejtësisë.

“Epoka e re”: Si mund të pritet një rol pozitiv nga ky mision brenda të cilit ka pasur skandale për keqpërdorim dhe korrupsion?
Salihu: Ka pasur skandale, ka pasur defekte, ka pasur dobësi si dhe korrupsion, por nëse i peshojmë të metat dhe të mirat e EULEX-it në Kosovë në këta dhjetë vjet, prapë të mirat peshojnë me shumë sesa të metat. Posaçërisht në luftimin e korrupsionit. Korrupsioni nuk luftohet vetëm me deklarata dhe me hartimin e ligjeve, por me zbatimin e ligjit pavarësisht kush është dhe çfarë pozite ka. Unë e përdori shpeshherë këtë maksimë, se ligjet janë të mira aq sa janë njerëzit e mirë duhet t’i zbatojnë, por njerëzit e mirë janë aq të mirë sa u mundësohet zbatimi i ligjeve.

“Epoka e re”: Z. Salihu, meqë po thoni se së paku edhe dy vjet do të jetë EULEX-i në Kosovë, ka gjasa që sërish këtij misioni t’i vazhdohet mandati?
Salihu: Nëse vazhdohet me këtë situatë, ka shumë gjasa që pas dy vjetësh sërish EULEX-it t’i vazhdohet mandati. Dhe unë jam ithtar i asaj që t’i vazhdohet mandati këtij misioni për shkak të këtij mjedisi të pasigurt politik.

“Epoka e re”: Është i ndërlidhur me Gjykatën Speciale vazhdimi i mandatit të EULEX-it?
Salihu: Po. Siç e dini, në Ligjin për Gjykatën Speciale thuhet se vendimet dhe urdhrat e Gjykatës Speciale do t’i ekzekutojë Policia e Kosovës, në rast nevoje do të angazhohet edhe policia e EULEX-it, madje në rast nevoje do të angazhohet edhe KFOR-i. Në këtë drejtim asgjë nuk i është lënë rastit. Kështu që, edhe Gjykata Speciale është një ndër shkaqet dhe arsyet që ka ndikuar t’i vazhdohet mandati misionit të EULEX-it.

“Epoka e re”: Por përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në vazhdimësi kanë deklaruar se pas 15 qershorit EULEX-i do të jetë i panevojshëm.
Salihu: Është në natyrën e politikanëve të thonë gjëra të tilla për ta promovuar punën e tyre. Ata japin deklarata politike, kurse unë jap deklarata profesionale dhe juridike si profesor i drejtësisë dhe si specialist i së drejtës penale ndërkombëtare. Politikanëve çdo deklaratë u lejohet dhe u mirëkuptohet, kurse ekspertëve të fushës jo. Si mos të jetë i nevojshëm EULEX-i kur 19 vjet pas çlirimit të Kosovës asnjë person i nivelit të lartë nuk është dënuar për korrupsion. Janë nisur hetimet, janë bërë akuzat, por vendime nuk ka pasur. Megjithatë, një gjë është e qartë, si e kanë bërë gjithë këtë pasuri politikanët tanë.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Administratës Publike në bashkëpunim me OJQ Iniciativa për…