Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me valën e vlerësimeve negative të publikuara në platformat online ndaj bizneseve dhe disa destinacioneve turistike në vend.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka sjellë në vëmendje edhe rastin e Kalasë së Rozafës në Shkodër, e cila, sipas tij, është përfshirë në këtë seri vlerësimesh negative.
“Po me Kalanë e Rozafës çfarë keni o patriotë apo ta shkatërrojmë sa të mundemi turizmin, se duhet t’i përzëmë të huajt dhe të kthehemi tek koha kur hanim njëri-tjetrin?”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë e cilësoi këtë fenomen si dëmtim të pronës publike dhe private, ndërsa bëri thirrje që organet ligjzbatuese të ndërhyjnë.
“Uroj që prokuroria të veprojë një orë e më parë me këta dhunues të pronës publike e private dhe shantazhues të qytetarëve të këtij vendi”, u shpreh Rama.
Reagimi vjen në një kohë kur në rrjetet sociale është diskutuar për publikimin e një numri të madh vlerësimesh negative në Google ndaj bizneseve dhe institucioneve turistike shqiptare.