Krasniqi: Logon e Lojërave Mesdhetare e prezantojmë së shpejti

14 korrik 2026 | 14:42

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka bërë të ditur se logoja zyrtare e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” është në fazën përfundimtare të miratimit, pasi janë adresuar vërejtjet e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Në emisionin SportCast, Krasniqi shpjegoi se çdo vendim i rëndësishëm që lidhet me organizimin e Lojërave duhet të marrë miratimin e ICMG-së, si pronare e këtij eventi.

“Logon ndoshta e keni dëgjuar që është aprovuar një logo, ka pasur disa ndryshime nga ICMG-ja, nga ekspertët e ICMG-së, sepse çdo vendim që merr komiteti organizativ i Kosovës për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, duhet të aprovohet në ICMG. Kjo është rregull. Nuk mundesh me marrë asnjë vendim, ti merr vendime, mirëpo aprovimi në fund vjen nga ICMG-ja, nga pronari i lojërave, se pronari i lojërave gjithmonë është ICMG-ja. Ne jemi vetëm organizatorë. Logon e kemi dërguar, ka pasur disa vërejtje të cilat janë përmirësuar me kohë dhe besoj që shumë shpejt do të dalim zyrtarisht me logon të cilën do ta kemi prezente për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030:, bëri të ditur Krasniqi.

Ai foli edhe për takimin e ardhshëm të ICMG-së që do të mbahet në Taranto gjatë zhvillimit të Lojërave Mesdhetare 2026, ku delegacioni i Kosovës do të raportojë për ecurinë e përgatitjeve për organizimin e edicionit të vitit 2030.

“Takim kemi tani në Taranto, do të jetë takimi i radhës dhe atje do të diskutojmë patjetër për Lojërat Mesdhetare. Edhe atje do të shpalosim edhe të arriturat deri në atë moment, deri në shtator kur do të jenë gusht – shtator faktikisht. Në 21 gusht fillojnë lojërat deri më 3 shtator. Në atë kohë jemi atje, do të marrim pjesë edhe në asamble edhe aty flitet normal edhe për të arriturat, ne e prezantojmë atë të cilat do të kryhen deri në atë moment. Tani e dini që ligji i ri për Lojërat Mesdhetare është aprovuar dhe është kryer në Qeverinë e Kosovës. Tani bordi është i ri, në krye me kryetarin e komitetit organizativ është kryeministri Albin Kurti. Jemi 13 anëtarë total në këtë bord dhe shpresoj shumë shpejt do të fillojë edhe mbledhja e parë e bordit dhe të fillojmë me punë. Nuk kemi çfarë presim më shumë, tash duhet vetëm të veprojmë”, vijoi tutje Krasniqi.
Krasniqi pranoi se, pavarësisht optimizmit, ndien përgjegjësi të madhe për realizimin e këtij projekti historik për Kosovën, duke mos e fshehur as shqetësimin se vendi mund ta humbasë të drejtën e organizimit nëse nuk përmbushen obligimet.

“Unë normal që kam frikë si president i Komitetit Olimpik të Kosovës sepse e di mundin dhe sakrificën që e kemi bërë si komitet olimpik për t’i sjellë lojërat në Kosovë. Shumë shtete ndoshta e kanë ëndërr dhe shumë shtete ndoshta katër herë, pesë herë kanë aplikuar s’kanë mundur t’i marrin këto lojëra. Ne i kemi marrë me të parën dhe pa pasur det hiq. Kjo pak më brengos, se është mund i madh, djersë e madhe dhe angazhim shumë i madh për të marrë diçka shumë të vlefshme dhe për ta humbur për asgjë”, theksoi Krasniqi.

Sipas tij, me miratimin e ligjit të veçantë, krijimin e Bordit Organizativ dhe fillimin e punës së tij, Kosova ka hyrë në fazën vendimtare të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, që konsiderohen ngjarja më e madhe shumë-sportëshe që do të organizohet ndonjëherë në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-181 për Vlerësimin e…