UEFA delegon ekipin e gjyqtarëve nga Kosova për ndeshjen Virtus – Dila në Conference League
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se një tjetër ekip i gjyqtarëve kosovarë është deleguar nga UEFA për të ndarë drejtësinë në garat evropiane.
Sipas njoftimit të FFK-së, gjyqtari ndërkombëtar Mervan Bejtullahu do të drejtojë ndeshjen e UEFA Conference League ndërmjet Virtus dhe Dila, e cila do të zhvillohet më 16 korrik në San Marino.
Bejtullahu do të ndihmohet nga asistentët Edmond Zeqiri dhe Fatmir Sekiraqa, ndërsa gjyqtar i katërt është caktuar Lirim Jashari.
FFK e ka cilësuar këtë delegim si një tjetër vlerësim të rëndësishëm nga UEFA dhe dëshmi të besimit të vazhdueshëm në profesionalizmin dhe cilësinë e gjyqtarëve kosovarë.
Federata u ka uruar sukses gjyqtarëve në këtë sfidë evropiane, duke shprehur besimin se ata do ta përfaqësojnë denjësisht futbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.



