Kryeprokurori i Shtetit me paralajmërim për të gjithë prokurorët
Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnullah Gashi iu drejtua për herë të parë prokurorëve të shtetit, në deklaratën e tij të parë i udhëheqës i Prokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Gashi, i dekretuar nga u.d. presidentja Albulena Haxhiu në detyrën e kryeprokurorit javën e shkuar, ishte për herë të parë pjesëmarrës në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të hënën.
Në fjalën e tij të parë nga Këshilli Prokurorial, Gashi dërgoi një mesazh të fortë për prokurorët.
“Sot nga këtu do t’i drejtohem secilit prokuror me një mesazh të qartë: si Kryeprokuror i Shtetit do të jem i përkushtuar për të mbështetur secilin nga ju që ushtroni detyrën me profesionalizëm, integritet, paanshmëri dhe guxim”, tha Gashi.
Krahas mesazhit, kryeprokurori i ri dërgoi edhe një paralajmërim për prokurorët.
“Nuk do të lejohet askush që keqpërdor autoritetin që i jep Ligji”, tha ai.
Sipas Gashit, qasja e tij si kryeprokuror do të mbështetet te puna, jo te deklaratat.
“Për aty që më njohin e dinë që qasja ime si prokuror dhe kryeprokuror ka qenë dhe mbetet e njëjtë: prokurori duhet të flasë vetëm përmes punës. Besueshmëria në profesionin tonë nuk ndërtohet me deklarata apo me retorikë, por me profesionalizëm, integritet dhe rezultate perfekte”, tha Gashi.
“Duhet të zhvillojmë hetime më profesionale, më efikase”, tha ai, ndërsa përmendi ndjekjen e rasteve të korrupsionit.



