Deklarata e Zelenskyt në Beograd për Kosovën nxit reagime në Prishtinë, Tiranë dhe Ukrainë
Deklarata e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Kievi vazhdon ta trajtojë Kosovën në kuadër të integritetit territorial të Serbisë, ka nxitur reagime në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa një deputet ukrainas e ka cilësuar qëndrimin e tij “gabim diplomatik” dhe ka kërkuar njohjen e Kosovës nga Ukraina.
Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky është shprehur se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës dhe ka thënë se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.
Udhëheqësi ukrainas ka thënë se shteti i tij i është mirënjohës Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë – të cilën Rusia e ka aneksuar paligjshëm më 2014.
Megjithatë, qëndrimi i Zelenskyt nuk mbështetet nga të gjithë politikanët ukrainas.
Oleksiy Goncharenko, deputet i Parlamentit ukrainas nga partia opozitare Solidariteti Evropian dhe përfaqësues i Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e ka cilësuar atë si “gabim diplomatik”, duke u shprehur se Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Ukrainasit e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe ne besojmë se Ukraina duhet ta njohë shtetin”, ka shkruar Goncharenko në “X”, duke shtuar se do të vazhdojë të angazhohet për njohjen e Kosovës dhe se beson se Kievi përfundimisht do ta marrë një vendim të tillë.
Ndaj deklaratës së Zelenskyt ka reaguar edhe Yurii Hudymenko, veteran ukrainas i luftës dhe kryetar i Këshillit Publik Kundër Korrupsionit pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.
Në një postim në “Facebook”, ai është shprehur se ndihet “i neveritur dhe i turpëruar” nga qëndrimi i presidentit ukrainas, duke kujtuar mbështetjen që Kosova u ka dhënë ukrainasve, ushtarëve dhe refugjatëve që nga nisja e pushtimit rus.
“Shpresoj që miqtë e mi nga Kosova ta kuptojnë se fjalët e presidentit nuk janë gjithmonë mendimi i të gjithë vendit”, ka shkruar Hudymenko.
“Radio Evropa e Lirë” i është drejtuar ekipit për media të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për sqarime shtesë lidhur me deklaratat e tij për Kosovën dhe është në pritje të përgjigjes.
Konjufca: Kosova do ta mirëpriste njohjen nga Ukraina
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur keqardhje për deklaratën e Zelenskyt dhe ka kundërshtuar paraqitjen e Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë.
“Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne e kundërshtojmë në mënyrë të vendosur çdo paraqitje të Republikës së Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë”, është shprehur Konjufca në reagimin e tij në “X”.
Konjufca po ashtu është shprehur se Kosova do të mirëpriste njohjen nga Ukraina, duke argumentuar se një vendim i tillë do të forconte parimet e lirisë, demokracisë dhe ligjit ndërkombëtar që “Ukraina po i mbron sot”.
Konjufca ka thënë se shteti i Kosovës lindi nga lufta e popullit për liri dhe çlirimi i tyre më 1999 erdhi pas “vite të shtypjes sistematike dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit”.
“Ajo që pasoi nuk ishte një akt aneksimi, okupimi apo pushtimi territorial, por një proces gjithëpërfshirës ndërkombëtar nën administratën e Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar për statusin final të Kosovës”, është shprehur Konjufca.
Ai ka thënë se, kur negociatat përfunduan, i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, rekomandoi pavarësinë si status final për Kosovën dhe paraqiti një kornizë gjithëpërfshirëse për shtetin e ri, që, sipas tij, përfshin disa nga garancitë kushtetuese më të gjera në Evropë sa u përket komuniteteve joshumicë.
Konjufca ka thënë se shpallja e pavarësisë ishte kulmim i këtij procesi politik dhe historik, teksa ka kujtuar se më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
“Pikërisht për këto arsye, përpjekjet e Rusisë për të përdorur Kosovën si precedent apo si justifikim për pushtimin, okupimin ose përpjekjen për aneksimin e territorit ukrainas janë historikisht dhe juridikisht të pavërteta. Nuk ekziston një paralele e tillë”, është shprehur Konjufca.
Presidenti rus, Vladimir Putin, në të kaluarën e ka përmendur disa herë Kosovën. Në prill të vitit 2022, Putin ka thënë se, nëse Kosova mundet të shpallë pavarësinë, pse nuk munden Donjecku dhe Luhansku, duke iu referuar dy rajoneve separatiste ukrainase, që Rusia në shkurt të atij viti i njohu si shtete të pavarura.
“Është fakt që shumë shtete perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ne e kemi bërë të njëjtën gjë me republikat e Donbasit”, kishte thënë Putin më 26 prill 2022 gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së.
Ai po ashtu e ka krahasuar edhe aneksimin e Krimesë nga Rusia me Kosovën. Kosova vazhdimisht ka kundërshtuar këto krahasime.
Konjufca po ashtu ka kujtuar se, pavarësisht mosnjohjes, Kosova e ka mbështetur Ukrainën që nga dita e parë e luftës, e ka dënuar pushtimin, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ka ofruar ndihmë financiare dhe ka strehuar gazetarë ukrainas, si dhe ka ofruar trajnime ushtarake.
“Po aq e rëndësishme është të rikujtohet një dallim i qartë: përderisa Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk është përafruar me sanksionet e BE-së të vendosura në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, është shprehur ai.
Serbia refuzon të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe në Kushtetutën serbe, Kosova është ende pjesë e territorit të saj.
Në Prishtinë largohet flamuri ukrainas
Konjufca është zyrtari i parë qeveritar që ka reaguar ndaj deklaratës së Zelenskyt në Beograd. Megjithatë, më herët gjatë 9 gushtit, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë një veprim për të kundërshtuar atë që udhëheqësi ukrainas ka thënë.
Komuna e ka larguar një flamur të vendosur në qendër të qytetit, me mbishkrimin “Free Ukraine” (Liri për Ukrainën).
“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti, Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, është shprehur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një postim në rrjetet sociale.
Flamuri ishte vendosur në qendër të Prishtinës pas shpërthimit të luftës, në shenjë solidariteti me Ukrainën.
Rama ka thënë se populli i Kosovës gjithmonë solidarizohet me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe përndjekje, sepse “e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet”.
“Por, asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka shtuar ai.
Shqipëria i reagon Zelenskyt: Barazimi i Kosovës me një situatë tjetër ndërkombëtare është i gabuar
Lidhur me deklaratën e Zelenskyt ka reaguar edhe Shqipëria. Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë e ka cilësuar të gabuar çdo përpjekje për të tërhequr paralele mes Kosovës dhe situatave të tjera ndërkombëtare.
“Nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim në këtë pikë: çdo përpjekje për të tërhequr paralele apo për të barazuar Kosovën me ndonjë situatë tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe krejtësisht e pasaktë”, është thënë në reagimin e 9 gushtit.
Shqipëria ka thënë se Kosova ka themelet e saj historike, politike dhe ligjore, duke kujtuar edhe një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) lidhur me vendimin e Kosovës për të shpallur pavarësinë më 2008.
“Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, GjND-ja ishte e prerë: shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës është një çështje krejtësisht tjetër. Ai përbën shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, është thënë në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
Sipas Shqipërisë, paqja në Ballkanin Perëndimor dhe e ardhmja evropiane e rajonit kërkojnë “pranimin e realitetit të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës”.
“Pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje në të cilën kufijtë nuk ndryshohen përmes forcës dhe popujt e komunitetet mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri”, është thënë në reagim.
Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE, ka përsëritur qëndrimin se mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Tirana ka thënë se është “e kuptueshme” dhe “legjitime” që vizita e Zelenskyt në Serbi, para së gjithash, i shërben interesave të Ukrainës. Megjithatë, ka shtuar se çdo hap që i ndihmon Serbinë të largohet “nga ndikimi keqdashës i Rusisë dhe të afrohet me Evropën është pozitiv”.
Edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, Serbia për gati pesë vjet nuk ka hapur asnjë kapitull të ri negociues. Dy muaj pas hapjes së kapitullit të fundit në negociatat për anëtarësim filloi lufta në Ukrainë, ndërsa Serbia nuk e harmonizoi politikën e saj të jashtme me bllokun për të sanksionuar Rusinë.
Në atë kohë, kjo ishte arsyeja kryesore për ngecjen e negociatave të anëtarësimit, teksa ndërkohë Beogradi ka pasur përkeqësim edhe në fushën e sundimit të ligjit.



