Asamblisti i PDK-së i kërkon Totajt që Prizreni të stoliset me flamuj të UÇK-së
Asamblisti i Kuvendit Komunal të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Tefik Tarashaj, i ka drejtuar një kërkesë publike kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe drejtorit të Shërbimeve Publike, Islam Ukimeri.
Tarashaj kërkon që qyteti i Prizrenit të stoliset me flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me rastin e 16 shtatorit, si shenjë feste dhe nderimi.
Në kërkesën e tij, asamblisti thotë se qyteti duhet të përgatitet për të pritur, siç shprehet ai, “çlirimtarët tanë”, duke përmendur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Kërkojmë që i gjithë qyteti i Prizrenit të stoliset me flamuj të UÇK-së, si shenjë feste dhe nderimi, në mënyrë që më 16 shtator t’i presim çlirimtarët tanë, z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi, në mënyrën sa më madhështore”, thuhet në kërkesën e Tarashajt.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët e Prizrenit dhe të Kosovës ta presin këtë datë me krenari dhe dinjitet.
“T’u tregojmë atyre se të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit dhe të gjithë qytetarët e Kosovës janë në pritje të tyre dhe të kësaj feste, e cila do të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme pas Pavarësisë së shtetit tonë të Kosovës”, ka shkruar Tarashaj.
Në fund, asamblisti i PDK-së e cilëson këtë festë si dëshmi të kontributit të UÇK-së për lirinë e Kosovës dhe kërkon që 16 shtatori të shënohet me madhështi.
“Le ta presim 16 shtatorin me krenari, dinjitet dhe madhështi, duke nderuar ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës”, përfundon kërkesa e tij.



