Skenderaj, nënshkruhet marrëveshja për financimin e Objektit Ç me vlerë 4.4 milionë euro
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për financimin e Objektit Ç, në kuadër të Programit të Banimit Social Adekuat.
Marrëveshja është nënshkruar me ministren në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ndërsa vlera e projektit kap shumën prej 4.4 milionë eurosh. Sipas Lushtakut, financimi është siguruar përmes kredisë nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës.
Objekti Ç do të jetë i dedikuar me prioritet për familjet e dëshmorëve të Komunës së Skenderajt, me qëllim, siç ka theksuar Lushtaku, përmbushjen e një obligimi institucional dhe moral ndaj familjeve që kanë dhënë kontributin e tyre për lirinë e Kosovës.
“Pas Objektit U, edhe Objekti Ç po bëhet realitet!”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka bërë të ditur se synimi i radhës është realizimi i Objektit K, me të cilin do të kompletohej tërësisht kompleksi UÇK.
Lushtaku ka theksuar se Komuna do të vazhdojë punën për realizimin e këtij projekti, duke e cilësuar atë si një tjetër zotim ndaj familjeve të dëshmorëve.



