Ballkani rikthen Sami Sermaxhajn në krye të skuadrës
FC Ballkani ka njoftuar rikthimin e Sami Sermaxhajt në postin e trajnerit, pak kohë pasi klubi ka konfirmuar largimin e teknikut Mislav Karoglan.
Sermaxhaj rikthehet te skuadra nga Suhareka pas disa vitesh, ndërsa ai nuk është emër i panjohur për klubin. Trajneri e ka drejtuar Ballkanin edhe më herët, gjatë periudhës shtator 2018 – maj 2019.
Në njoftimin e klubit është thënë se Sermaxhaj është “njeriu i shtëpisë” dhe se rikthehet në një moment të rëndësishëm për Ballkanin. “Sermaxhaj e njeh shumë mirë Ballkanin dhe rrugëtimin e tij, pasi ka qenë në krye të ekipit edhe gjatë periudhës nga shtatori i vitit 2018 deri në maj të vitit 2019”, është thënë në komunikatën e klubit.
Ballkani ka theksuar se përvoja dhe njohja e trajnerit me klubin pritet të ndihmojnë skuadrën në sfidat e ardhshme dhe në përmbushjen e objektivave të sezonit. Sami Sermaxhaj tashmë do të ketë detyrën ta rikthejë stabilitetin në skuadër pas largimit të Karoglanit.



