Subvencionimi i teksteve shkollore, Haxhiu: U vonua, është dështim i Qeverisë
Deputetja nga Aleanca, Teuta Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë në detyre, për siç tha ajo, vonesën në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore, vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor.
Haxhiu tha se vonesa përbën neglizhencë dhe papërgjegjësi të pushtetit, duke përmendur në veçanti ministrin Hajrulla Çeku.
“Arsyeja e thirrjes së kësaj konference është pikërisht neglizhenca dhe papërgjegjësia e këtij pushteti, përkatësisht e ministrit Çeku, aktualisht deputetit Çeku, në moskryerjen e detyrave që përkojnë dhe dalin nga Ligji për Arsimin Parauniversitar dhe nga Udhëzimi Administrativ 13/2026 për subvencionimin e teksteve mësimore për nxënësit e Kosovës”.
“Pra, ky vit shkollor do të duhej t’i priste të gjithë nxënësit me përgatitjet më të larta, në cilindo nivel. Miratimi i katalogut dje, më datën 27, jo vetëm që është i vonuar, por është edhe një presion që u është bërë prindërve, të cilët normalisht kanë pritur që fëmijët e tyre të pajisen me tekste dhe të jenë gati të fillojnë një vit të mbarë shkollor”, tha Haxhiu, transmeton Klankosova.tv.
Sipas saj, Ministria e Arsimit ka pasur afate të qarta për përfundimin e procedurave, ndërsa drejtoritë komunale është dashur t’i dorëzojnë raportet përfundimtare deri më 15 korrik.
“Ministria ka detyrën që në muajin qershor të themelojë një komision që negocion çmimin me shtëpitë botuese. Po flasim për muajin qershor. Pastaj dërgohet edhe katalogu në drejtoritë komunale, e këto e dërgojnë te shkollat. Flas me përgjegjësi, ngase kam qenë drejtoreshë e shkollës, dhe afati 15 korrik është afati i fundit kur drejtoritë përgatisin raportet për t’i dërguar në ministri”.
“Pra, po flasim për 15 korrikun. Llogaritni prej atëherë deri më datën 27 gusht sa ditë kanë pasur kohë për t’u përgatitur. Për mospërgatitje nuk nënkupton asgjë tjetër, pos papërgjegjësi totale. Këta njerëz, që vërtet gjatë gjithë këtyre gjashtë viteve e kanë marrë detyrën dhe e kanë kryer si me qenë praktikantë, kështu si praktikantë po veprojnë”, tha Haxhiu.



