Toni Kroos nis karrierën si trajner, zbulohet plani për t’u rikthyer te Real Madridi
Ish-mesfushori legjendar gjerman, Toni Kroos, po përgatitet për një kapitull të ri në jetën e tij. Pasi i ka dhënë fund karrierës si futbollist pas Kampionatit Evropian të vitit 2024, ish-ylli i Real Madridit po e shqyrton seriozisht mundësinë për t’u bërë trajner.
Sipas gazetës spanjolle “AS”, Kroos e ka informuar Federatën Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF) për synimin e tij për t’u regjistruar në një program të specializuar për trajnerë, të dedikuar për ish-futbollistët profesionistë, në sezonin 2027/28. Megjithëse, falë përvojës shumëvjeçare si futbollist, ai tashmë posedon një kualifikim që i mundëson të drejtojë skuadra deri në kategorinë e tretë të futbollit spanjoll, gjermani nuk dëshiron t’i anashkalojë hapat.
Synimi i tij është të pajiset me licencën UEFA A, e cila do t’i hapte rrugën drejt karrierës si trajner kryesor në nivele më të larta të futbollit. Aktualisht, Kroos është i përkushtuar në punën me talentet e rinj në akademinë e tij të futbollit, që ndodhet në periferi të Madridit. Ai po shijon punën me fëmijët, por ambiciet e tij po e çojnë gradualisht drejt futbollit profesionist për të rritur.
Ndërkohë, drejtuesit e Real Madridit, të udhëhequr nga Florentino Perez, kishin shqyrtuar mundësinë e rikthimit të Kroosit në klub gjatë pranverës, përmes një roli në qendrën stërvitore Valdebebas. Edhe pse janë zhvilluar bisedime, të dyja palët kanë rënë dakord se nuk dëshironin të krijonin një pozitë vetëm për shkak të emrit të tij të njohur, pa gjetur një rol të përshtatshëm.
Megjithatë, dyert e Real Madridit mbeten të hapura për gjermanin dhe marrëdhëniet e tij me drejtuesit e klubit vazhdojnë të jenë të mira. Për këtë arsye, një rikthim i mundshëm i tij te “Los Blancos”, këtë herë në një rol tjetër, mbetet një mundësi për të ardhmen.
Kroos i ka dhënë fund karrierës si futbollist në vitin 2024, pas një periudhe të suksesshme me Bayern Munichun, Bayer Leverkusenin dhe Real Madridin. Ai ka fituar gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve dhe Kupën e Botës me Gjermaninë në vitin 2014. Së bashku me Luka Modriqin dhe Casemiron, Kroos formoi një nga mesfushat më të suksesshme në historinë e futbollit, duke luajtur rol kyç në sukseset e Real Madridit në arenën vendore dhe atë evropiane.



