4.5 milionë euro investime për sportin në Mitrovicë
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se gjatë gjashtë muajve të fundit janë iniciuar investime në vlerë prej 4.5 milionë eurosh për zhvillimin e infrastrukturës sportive në këtë komunë. Përmes një njoftimi në “Facebook”, Peci ka bërë me dije se projektet e planifikuara përfshijnë dy fusha futbolli, tri fusha të vogla sportive, pesë fusha tenisi dhe dy fusha padeli.
Sipas tij, dy fushat e futbollit, me vlerë prej 2.1 milionë eurosh, tashmë janë në fazën e shpalljes publike. Ndërsa për ndërtimin e tri fushave të vogla sportive në Zhabar, Tunel të Parë dhe Bare janë paraparë rreth 500 mijë euro. Për ndërtimin e pesë fushave të tenisit dhe dy fushave të padelit, investimi i planifikuar kap vlerën e rreth 700 mijë eurove.
Peci ka bërë të ditur gjithashtu se deri në fund të këtij viti pritet të shpallet tenderi për renovimin e OMNI Sportit, projekt që kap vlerën e rreth 1.2 milionë eurove. “Mitrovica në fokus për zhvillim si asnjëherë më parë”, ka shkruar Peci.



