Mungesat në listën esenciale të barnave janë rritur 200 %, pavarësisht rritjes së buxhetit, thotë kryetari i Odës së Farmacistëve
Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, ka deklaruar se gjendja me listën esenciale të barnave në sistemin publik shëndetësor është e pakënaqshme, duke theksuar se pavarësisht rritjes së buxhetit të qeverisë, mungesat e barnave në SHSKUK dhe spitalet rajonale janë rritur ndjeshëm.
Për Ekonomia Online, Bytyqi tha se mungesat e barnave kanë shënuar rritje mbi 200 për qind krahasuar me vitet paraprake, duke e cilësuar këtë situatë si alarmante dhe problem serioz që kërkon adresim institucional.
“Gjendja në sistemin publik shëndetësor me listën esenciale apo me furnizim nuk është e kënaqshme. Arsyet duhet t’i pyesni ata, por përkundër se buxheti i qeverisë ka qenë 100 për qind më shumë në raport me para tri viteve, mungesat në SHSKUK edhe në spitalet rajonale kanë qenë mbi 200 për qind. Është një matematikë jo fort e kënaqshme në këtë aspekt, sepse të kesh shumë më shumë buxhet edhe të kesh shumë më shumë mungesa, diku është një problem i madh të cilin duhet dikush ta adresojë dhe ta zgjidhë këtë problem”, tha ai.
Bytyqi ka ngritur shqetësime edhe për procesin e përpilimit të Listës Esenciale të Barnave, duke thënë se ka pasur paqartësi dhe konfuzion, për çka sipas tij do të duhej të kishte hetime administrative dhe institucionale.
“Deri tani për të kaluarën e përpilimit të listës esenciale, duke filluar nga njësitë kërkuese, ka qenë dashur një hetim, së paku administrativ, të bëhet, të përpiluesit e listës esenciale edhe deri te pjesa kryesore e administratës publike që në këtë rast i bie të jetë sekretari i përgjithshëm i cilësdo ministri, por në këtë rast po flasim me ministrin e linjës, të hetohej se çka ka ngjarë me këtë çështje, çka ka ngjarë me listën esenciale. Rrjedhimisht dua ta them se a ka pasur paqartësi, a ka pasur konfuzion – po, sepse këtu shihet se buxheti është shumë më i madh e mungesat janë shumë më të mëdha se vitet paraprake”, tha ai.
Sa i përket Ligjit për unifikimin e çmimeve të barnave, Bytyqi vlerësoi se ideja ka qenë e menduar mirë, por zbatimi sipas tij nuk ka prodhuar rezultatet e pritura, pasi çmimet në përgjithësi nuk janë ulur.
“Mendoj se me aplikimin e ligjit për unifikimin e çmimeve është menduar dhe mirë që është menduar, por nga e thëna në të bërë qëndron një mal i tërë. Ka pasur tendenca ndoshta, por jo mirë të menduara, sepse çmimet, ne jemi në komunikim të përditshëm me kolegë, nuk janë zvogëluar. Ka një gamë të caktuar të barnave që janë zvogëluar, por në përgjithësi çmimet janë aty-aty, ose mos me thënë edhe diku edhe janë rritur goxha shumë”, tha ai.
Ai shtoi se si pasojë e këtij ligji ka pasur ankesa të shumta për ndryshime të shpeshta të çmimeve, çka sipas tij ka krijuar barrë shtesë për farmacistët, të cilët përballen drejtpërdrejt me pakënaqësitë e qytetarëve.
“Po, si shkak i ligjit për unifikimin e çmimeve, që si qëllim kryesor ka pasur zvogëlimin e çmimeve e që si rezultat final nuk ka dalë i tillë. Po kemi pasur ankesa të shumta, por ankesat kanë qenë në drejtim të ndryshimit të çmimit kohë pas kohe, sepse ka pasur disa periudha rideklarim të çmimit. Ka pasur farmaci që e ka marrë çmimin, bie fjala, me 2 euro, pas dy muajve e ka marrë me një çmim 3.50, apo që ka qenë një ndryshim jashtëzakonisht i madh i çmimit dhe të cilët i kanë ankesat, sepse ata ballafaqohen drejtpërdrejt me qytetarët. Dhe qytetari e ka atë ankesën se pse ky çmim, nuk është faji i tyre aspak, por barra e shpjegimit po u bie kolegëve tanë, të cilët me mund dhe sakrificë punojnë dhe veprojnë në farmacitë e tyre në dobi të qytetarëve dhe shëndetit të tyre”, tha ai.



