BDI-ja: Politikat tatimore të qeverisë po rrjepin qytetarët dhe po krijojnë pasiguri juridike

23 janar 2026 | 13:01

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për politikat e padrejta dhe represive tatimore të qeverisë aktuale, të cilat po godasin drejtpërdrejt qytetarët tanë, veçanërisht ata që kanë punuar jashtë vendit në kushte të rënda dhe të rrezikshme.

Sipas BDI-së, protestat para Drejtorisë së të Ardhurave Publike janë dëshmi e qartë e dështimit institucional dhe e një politike tatimore të verbër, që përmes tatimeve retroaktive po u vendos barrë të padrejtë financiare qytetarëve që për vite me radhë kanë siguruar ekzistencën e familjeve të tyre dhe kanë kontribuar në ekonominë e vendit.

“Është e papranueshme që qytetarë që kanë punuar në misione ndërkombëtare në Irak, Afganistan, si dhe në vendet e tjera, shpesh duke rrezikuar jetën, sot të trajtohen si objekt për mbushjen e arkës shtetërore. Edhe më skandaloze është mosnjohja e statusit të jorezidentit tatimor, pavarësisht dëshmive të qarta ligjore dhe faktit se shumica e tyre kanë qëndruar mbi 183 ditë jashtë vendit. Kjo qeveri, përmes DAP-it, po krijon pasiguri juridike, po injoron ligjin dhe po e shndërron tatimin në mjet ndëshkimi. Qytetarët nuk janë kundër tatimeve, por janë kundër grabitjes, padrejtësisë dhe vendimeve retroaktive që cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e tyre ekonomike”, është thënë në reagimin e BDI-së.

BDI-ja kërkon pezullim të menjëhershëm të vendimeve tatimore me efekt retroaktiv; njohje të plotë të dokumentacionit për statusin e jorezidentit dhe transparencë dhe qartësi institucionale. “Qeveria duhet të ndalë politikat që rrjepin qytetarët dhe ta kuptojë se shteti nuk ndërtohet duke ndëshkuar ata që kanë sakrifikuar. BDI-ja do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve dhe të kundërshtojë çdo politikë që cenon drejtësinë sociale dhe dinjitetin njerëzor”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e…