Mësuesja militante e Vetëvendosjes shpërndan propagandë për Hashim Thaçin: I shërbente interesave serbe
Një mësuese ‘militante e Vetëvendosjes”, e cila jep mësim shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, Refiqe Hamiti, ka publikuar një reagim të ashpër, e propagandues lidhur me deklaratat e fundit në Hagë për ish-presidentin Hashim Thaçi.
Në postimin e saj, Hamiti e cilëson si “tmerruese” deklaratën e avokatit të Thaçit, ku përmendet pretendimi se ai kishte lidhje me shërbimet sekrete franceze.
“Po tani, o popull i Kosovës, kujt duhet t’i besojmë?”, shkruan ajo ndër të tjera, duke shtuar se deklarata të tilla “godasin jo vetëm një figurë, por vetë besimin në historinë e luftës”.
Në postimin e saj, ajo ka ndarë edhe një foto propaganduese ku shkruhet se “Thaci nuk ishte në UCK, ai punonte për shërbimin sekret francez”.
Duke u bazuar në profilin e saj në Instagram, Refiqe Hamiti, është militante e Vetëvendosjes. Ajo shfaqet ne tubime të ndryshme të kësaj partie.
Madje shpesh ka ndarë foto ku shihet përkrahë krerëve të VV’së.
————————————————————————
DEKLARATË TRONDITËSE NGA HAGA KUR HISTORIA E UÇK KTHEHET NË TRILLER
Shkruan: Refiqe R Hamiti
Për mua është tmerruese kjo deklaratë e avokatit të Hashim Thaçit në Hagë:
“Hashim Thaçi, ish-agjent i shërbimeve sekrete franceze?”
Po tani, o popull i Kosovës, kujt duhet t’i besojmë?
Avokati i Thaçit, me këtë deklaratë, sikur i vë vulë një narrative absurde: se Hashim Thaçi nuk paska qenë as pjesë e UÇK-së, por paska punuar për Shërbimin Sekret Francez.
Epo, me këtë logjikë, ndoshta Hashimi paska qenë vetëm turist në Kosovë gjatë luftës.
Të jemi të sinqertë: kjo histori ka më shumë mister se një serial spiunazhi.
Kosova ka pērballuar shumë. Por pse duhet të përballojë edhe këtë “bombë” të plasur në Hagë, që godet jo vetëm një figurë, por vetë besimin në historinë e luftës?
Kjo është sfiduese për ne si shoqëri.
Si mund të pranojmë që dikush që ka udhëhequr një luftë çlirimtare, të paraqitet sot si pjesë e shërbimeve të huaja?
A është ky një triller i ri politik, apo një përpjekje e qëllimshme për ta përmbysur besimin në luftën e UÇK-së dhe në luftëtarët e saj?
Po tani, kujt t’i besojmë?
A ishte Hashim Thaçi hero i UÇK-së, apo agjent sekret?
A është kjo “historia e punës” për shërbimet franceze një lojë e re për ta shpërfytyruar luftën dhe për t’i barazuar çlirimtarët me intriga?
PS:
Çdo ditë po krijohen më shumë dyshime se përgjigje. Dhe kur historia kthehet në shaka, atëherë dikush po manipulon qëllimisht kujtesën kolektive.
E shokuar, bërtita në heshtje:
“Çohu në këmbë aty në Hagë , Hashim Thaçi, dhe reago!
Thuaj: unë jam komandant, unë kam luftuar, unë jam pjesë e UÇK-së ,si nëpër studiot televizive të Kosovës dhe Shqipërisë ,si në foltorën e Kuvendit të Kosovës, si nëpër fushata ,si nëpër rrugët për rreth Rognerit, çohu a je burrë !?”
Ai nuk më dëgjoi.
E kishte kapur mikrofonin me dy duart dhe e kish mbyll Jakup Krasniqi… Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit i’u ka humbur busulla…
Tmerr…




