Bizneset kërkojnë lehtësim të procedurave për mallrat tranzit nga Porti i Durrësit
Me kërkesë të bizneseve që importojnë mallra përmes tranzitit nga Porti i Durrësit, të hënën në Odën Ekonomike të Kosovës u mbajt një takim me kryetarin, Lulzim Rafuna.
Në takim morën pjesë përfaqësues të bizneseve që operojnë në fushën e importit dhe që përdorin Portin e Durrësit si pikë hyrëse për mallrat me destinacion tregun e Kosovës.
Gjatë diskutimit, bizneset shprehën shqetësimet e tyre lidhur me procedurat që po aplikohen nga Dogana e Shqipërisë ndaj mallrave që janë në tranzit dhe që kanë destinacion përfundimtar Republikën e Kosovës.
Sipas tyre, ndonëse mallrat janë të destinuara për tregun kosovar dhe trajtohen si mallra tranzit, importuesit po përballen me procedura të zgjatura në Portin e Durrësit, të cilat po zgjasin me ditë të tëra.
Këto vonesa, sipas bizneseve, po shkaktojnë pengesa në furnizim dhe kosto shtesë për aktivitetin e tyre.
Përfaqësuesit e bizneseve theksuan se një praktikë e tillë nuk është në përputhje me parimet dhe procedurat standarde të trajtimit të mallrave në tranzit.
Sipas praktikave doganore ndërkombëtare, mallrat në tranzit duhet të evidentohen dhe regjistrohen në sistemin doganor, ndërsa kontrolli i tyre të kryhet në vendin e destinimit përfundimtar, në këtë rast në Republikën e Kosovës.
Në këtë kontekst, gjatë takimit u theksua nevoja që procedurat për mallrat në tranzit të zbatohen në përputhje me marrëveshjet dhe praktikat për lehtësimin e tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Po ashtu, u nënvizua rëndësia e rolit të Zyrës së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, e cila duhet të sigurojë që mallrat me destinacion Kosovën të trajtohen sipas procedurave të parapara për tranzit, duke u kufizuar në evidentimin dhe përcjelljen e tyre deri në destinacion.
Oda Ekonomike e Kosovës do ta adresojë këtë shqetësim tek institucionet përkatëse, me qëllim që të eliminohen pengesat për bizneset dhe të lehtësohet tregtia ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.



