AKB-ja: Kosova përballë stuhisë energjetike globale: vonesat sot, kriza nesër
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka vlerësuar se kriza globale e derivateve dhe energjisë po hyn në një fazë të re, duke kaluar nga një cikël i zakonshëm i rritjes së çmimeve në një kërcënim real për mungesë furnizimi.
“Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, veçanërisht tensionet që përfshijnë Iranin, kanë rikthyer në skenë një nga pikat më të ndjeshme të ekonomisë botërore – stabilitetin e rrugëve kryesore të furnizimit me energji”, ka theksuar ai.
Në këtë kontekst, sipas tij, Ngushtica e Hormuzit mbetet nyja më kritike globale.
“Përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë. Çdo destabilizim në këtë korridor nuk është më çështje rajonale, por goditje direkte për ekonominë globale”.
“Sot, ekonomitë më të fuqishme industriale si India, Japonia, Koreja e Jugut dhe Kina po përballen me rrezik serioz për mungesë të derivateve dhe rritje të pakontrolluar të kostove të energjisë. Këto vende janë thellësisht të varura nga importet dhe çdo ndërprerje në zinxhirin e furnizimit i ekspozon menjëherë ndaj krizave të brendshme ekonomike”, ka thënë Shahini.
Ai ka theksuar se efektet tashmë janë të dukshme edhe në Evropë.
“Shtete si Gjermania, Italia dhe Franca po përballen me një valë të re inflacioni, të nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë dhe transportit. Kjo situatë jo vetëm që po ngadalëson rritjen ekonomike, por po rrit edhe pasigurinë në tregjet financiare dhe industriale”.
“Në këtë realitet të ri global, Kosova mbetet ndër vendet më të ekspozuara dhe më pak të përgatitura. Varësia pothuajse totale nga importi i derivateve, mungesa e rezervave strategjike dhe mungesa e një strategjie të mirëfilltë energjetike e bëjnë ekonominë tonë jashtëzakonisht të brishtë. Çdo krizë globale reflektohet menjëherë në tregun vendor, duke u përkthyer në rritje çmimesh, ulje të fuqisë blerëse dhe vështirësi për bizneset”, është shprehur ai.
Shahini ka thënë se kjo situatë nuk duhet parë më si një sfidë e përkohshme, por si një alarm serioz për sigurinë ekonomike të vendit.
“Institucionet e Kosovës duhet të reagojnë me urgjencë dhe përgjegjësi. Nuk ka më hapësirë për vonesa apo vendimmarrje të pjesshme. Prioritetet janë të qarta: Së pari, rritja e menjëhershme e rezervave shtetërore të naftës është domosdoshmëri strategjike. Së dyti, hartimi dhe zbatimi i një strategjie kombëtare për sigurinë energjetike duhet të jetë prioritet shtetëror. Së treti, duhet të ndërmerren masa konkrete për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët nga goditjet e çmimeve”, ka thënë ai.
Sipas tij, në të kundërtën, Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të thellë krizash ekonomike, ku pasojat do të jenë shumë më të rënda se sa reagimi në kohë.
“Kriza aktuale është një test i qartë: a do të veprojmë me vizion dhe përgjegjësi, apo do të mbetemi spektatorë të zhvillimeve globale që na godasin drejtpërdrejt? Historia ka treguar se vendet që përgatiten në kohë i përballojnë krizat. Ato që vonohen, paguajnë çmim të lartë. Kosova nuk ka luksin të gabojë. Mungesa e veprimit sot, është kriza e sigurt e së nesërmes”, ka theksuar Shahini.



