Paga e 13, Murati: Nuk po shpikim asgjë, është praktikë e zakonshme në vendet e BE-së

10 prill 2026 | 13:24

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se praktika e pagës së 13 ekziston në vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe nuk është një ide e re. Këtë deklaratë, Murati e ka dhënë duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve të AAK-së lidhur me mospërkrahjen e sektorit privat.

Ai ka thënë se paga e 13 është obligative në disa shtete si Italia, Spanja dhe Portugalia, ndërsa në vende të tjera si Austria, Gjermania, Holanda dhe Franca, edhe pse nuk është detyrim ligjor, ajo jepet në mënyrë të zakonshme çdo vit, madje në disa raste edhe paga e 14.

Më tutje, ai ka përmendur masat financiare të ndërmarra nga qeveria për mbështetjen e familjeve dhe sektorit privat, duke theksuar se gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar janë ndarë 70 milionë euro si pagesë e njëhershme për familjet dhe pensionistët.

“Për sa i përket asaj se çfarë po bëhet për sektorin privat apo çfarë qeveria ka bërë, më lejoni t’ju kujtojë se 70 milionë euro në dhjetor të vitit të kaluar janë dhënë si pagesë e njëhershme, pra për të gjitha familjet që kanë fëmijë apo pensionistë. Pra të gjitha familjet kanë qenë përfituese. Pensionistët kanë marrë një shtesë prej 100 eurove në fund të vitit, e gjithashtu secili fëmijë dhe secila familje që ka pasur fëmijë, për çdo fëmijë ka marrë nga 100 euro shtesë. Për më tepër, pra përveç pagesës së njëhershme, më lejoni gjithashtu t’ju kujtoj që me qeverisjen tonë, për sektorin privat dhe për të gjitha familjet, pra për nënat dhe fëmijët, tashmë jo një herë në vit, por çdo vit, jepen 200 milionë euro për shtesat për fëmijë dhe për shtesat për nënat lehona”, ka thënë Murati.

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë seancës plenare ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mospërkrahje të punëtorëve të sektorit privat, pas shpërndarjes së pagës së 13 për sektorin publik. Ai ka thënë se punëtorët e sektorit privat janë kontribuuesit kryesorë në buxhetin e shtetit dhe se, sipas tij, ky sektor po neglizhohet nga qeveria. Tahiri ka theksuar se pikërisht ky sektor paguan taksat që mundësojnë funksionimin e sektorit publik, duke kërkuar trajtim më të barabartë për punëtorët e ekonomisë private.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri tha se kryeministri Kurti duhet…