A është kjo fitorja e Superligës?
KF Vëllaznimi ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, duke triumfuar ndaj KF Tefik Çanga në Ferizaj me rezultat 1-2. Një ndeshje e luftuar fort, ku gjakovarët dominuan pjesën më të madhe të lojës dhe treguan karakter të jashtëzakonshëm.
Edhe pse mbetën me një futbollist më pak në fushë, kuqezinjtë nuk u dorëzuan përballë një kundërshtari të motivuar maksimalisht. Vendimtare në këtë përballje ishte paraqitja e Ermir Skenderi, i cili realizoi të dy golat për Vëllaznimin, duke i siguruar skuadrës tre pikë të arta.
Kjo fitore flet për sakrificën dhe përkushtimin e madh të futbollistëve, të cilët luftuan për çdo top deri në vërshëllimën e fundit. Me këtë triumf, Vëllaznimi ngjitet në pozitën e dytë në tabelë, duke rritur ndjeshëm shpresat për një rikthim në elitën e futbollit kosovar.
Gara në Ligën e Parë mbetet jashtëzakonisht e fortë, ku përveç Vëllaznimit, në konkurrencë të ngushtë janë edhe KF Dinamo Ferizaj, KF Vushtrria, KF Feronikeli 74, KF Liria dhe KF Trepça ’89. Çdo pikë në këtë fazë mund të jetë vendimtare në garën për Superligë.



