68-shi i PDK-së, Arben Gega publikon fakte për projektet e bllokuara të qeverisë që nisën në fushatë

23 maj 2026 | 16:36

Kandidati i PDK-së për deputet, Arben Gega, ka akuzuar qeverinë për mosrealizim të projekteve infrastrukturore në Suharekë, duke thënë se investimet e paralajmëruara nuk përputhen me gjendjen reale në terren.

Sipas tij, pretendimet e Ministrisë së Infrastrukturës për investime milionëshe në këtë komunë nuk po reflektohen në projektet që kanë nisur ose kanë mbetur pezull. Gega përmendi Stadiumin e ri të Suharekës, projekt me vlerë rreth 10 milionë euro, për të cilin tha se punimet kanë nisur pa leje komunale dhe tashmë prej muajsh nuk ka aktivitet në terren.

“Njoftimi për dhënien e kontratës është bërë me 8 gusht 2025, por gjendja në terren është alarmante. Kanë filluar punimet pa aplikuar fare për leje në komunë dhe tash e gjashtë muaj aty nuk punohet asgjë”, deklaroi ai.

Ai kritikoi edhe gjendjen e rrugës për Delloc, projekt i nisur në vitin 2024 me vlerë rreth katër milionë euro. Sipas Gegës, kompania realizuese ka larguar makineritë për shkak të mungesës së mjeteve financiare nga qeveria.

“Kompania ka larguar makineritë për mungesë të mjeteve financiare që qeveria nuk i ka lëshuar.

Edhe pse afati për realizim po kalon, gjendja mbetet e njëjtë”, tha ai. Gega akuzoi ekzekutivin se projektet po përdoren për qëllime propagandistike gjatë vizitave zyrtare, ndërsa pas tyre punimet ndalen.

Ai kritikoi edhe nisjen e projekteve të reja infrastrukturore, si autostrada Duhël-Banullë, duke thënë se qeveria ende nuk ka përfunduar projekte të tjera të rëndësishme rrugore në vend, përfshirë ato drejt Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit.

Në fund, kandidati i PDK-së u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhje të mbështesin partinë e tij, duke e cilësuar atë si alternativë për zhvillim dhe investime infrastrukturore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga dita e djeshme, 22 maj 2026, ka hyr në…