Behgjet Pacolli: Gjykata e Tiranës heq masat kufizuese ndaj administrimit të VIA-s

06 korrik 2026 | 18:33

Presidenti i kompanisë MABCO, Behgjet Pacolli ka njoftuar përmes rrjetit social “Facebook” se Gjykata e Tiranës ka marr vendim për heqjen e masës kufizuese përsa i përket administrimit të shoqërisë VIA.

Në një postim publik, Pacolli e cilëson vendimin si një tjetër fitore të drejtësisë, duke theksuar se gjykata ka zëvendësuar masën e sigurimit të datës 5 qershor 2026 dhe ka hequr çdo kufizim për administrimin e shoqërisë nga ortaku mazhoritar.

Njoftimi i plotë i Pacollit:

Një tjetër vendim i drejtësisë u mor sot nga Gjykata e Tiranës, e cila hoqi masat kufizuese të vendosura në mënyrë të paligjshme nga gjyqtarja Miranda Nakaj përsa i përket administrimit të shoqërisë VIA.

Gjyqtarja Nakaj është kallëzuar në SPAK për vendime që, sipas pretendimeve, janë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë.

Pikërisht përmes asaj mase të kundërligjshme u bllokua mbajtja e Asamblesë së VIA-s, e paraparë për datën 06.06.2026 për ndryshimin e administratorit. Si pasojë, u vijua paligjshmëria dhe shkaktimi i dëmeve të konsiderueshme të vendosura prej Tetorit të vitit 2025, të cilat kulmuan me bllokimin e hyrjeve në Aeroport për muaj të tërë, duke privuar nënkontraktorët e Mabcos nga e drejta e tyre për të punuar për kryerjen  e punëve   të projektit dhe përfundimin e punimeve.

Jam falënderues sot ndaj Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila cilësoi si të marrë në kundërshtim me ligjin vendimin e gjyqtares Nakaj dhe vendosi zëvendësimin e masës së sigurimit të datës 05.06.2026, duke hequr çdo kufizim për sa i përket administrimit të shoqërisë VIA nga ortaku mazhoritar.

Në deklaratën e saj sot, gjatë shpalljes së vendimit, Gjykata u bazua edhe te arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili i kishte rikthyer ortakut mazhoritar ( MABCO) të drejtën për të administruar shoqërinë dhe për të ushtruar të drejtat që burojnë nga kuota e tij.

Ky është një vendim tjetër që dëshmon në mënyrë të qartë, përmes fakteve dhe grupfakteve tashmë të provuara, se të gjitha masat e sigurimit të vendosura më parë ndaj Mabco kanë qenë të paligjshme. Siç deklarojnë gjykatat, këto masa të paligjshme janë përpjekur të neutralizojnë Mabco-n në hapjen e aeroportit.

Nga sot, asnjë masë apo vendim gjyqësor nuk ka më fuqi kundër shoqërisë sonë.

Ne duam të angazhohemi sa më parë për të hapur aeroportin, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Një falënderim i veçantë për ekipin ligjor Halimi & Ahmetaj që na ka qëndruar pranë mua dhe familjes sime, si dhe për këtë fitore të merituar ditën e sotme.

Ne u bëjmë sërish apel të gjitha institucioneve publike, përfshirë Ministrinë, Avokaturën dhe Policinë, të ndërmarrin të gjitha masat në zbatim të vendimeve të gjykatave, me qëllimin e vetëm: garantimin e aksesit në kantier të shoqërisë Mabco, punonjësve, nënkontraktorëve dhe mjeteve të punës, si dhe përfundimin sa më parë të këtij projekti me interes publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bedri Halimi Ekziston një kategori intelektualësh që të krijojnë…