Vendosen kamera sigurie në Cërnicë të Gjilanit për rritjen e sigurisë publike

09 korrik 2026 | 17:19

Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP) në fshatin Cërnicë, në bashkëpunim me Koordinatorin e Projekteve për Komunitet dhe Parandalim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan, Njësinë e Policisë në Komunitet dhe Sektorin e Stacionit Policor në Gjilan, ka realizuar projektin për vendosjen e kamerave të sigurisë në këtë fshat. Projekti është financuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ndërsa mbështetje ka ofruar edhe Komuna e Gjilanit, e cila ka siguruar furnizimin me energji elektrike për funksionimin e sistemit të kamerave.

Policia e Kosovës ka njoftuar se qëllimi i këtij projekti është rritja e nivelit të sigurisë publike, parandalimi i veprave penale, mbrojtja e pronës dhe krijimi i një ambienti më të sigurt për qytetarët.

Sipas njoftimit, vendosja e kamerave është mirëpritur nga banorët e Cërnicës, të cilët e kanë vlerësuar si një investim të rëndësishëm për sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit.

Institucionet e përfshira kanë bërë me dije se do të vazhdojnë bashkëpunimin për realizimin e projekteve të tjera që kontribuojnë në përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.

Policia e Kosovës dhe Komiteti Lokal i Sigurisë në Cërnicë kanë theksuar përkushtimin për identifikimin dhe adresimin e nevojave të komunitetit, me synim krijimin e një ambienti më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin në Suedi të një…