Sulm me thikë në Ferizaj, dy persona të plagosur pranë Postës Qendrore
Ferizaji është tronditur mëngjesin e sotëm nga një sulm me thikë, ku dy persona kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj. Pas incidentit, Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Sipas policisë, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, ndërsa dy personat e plagosur janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.
“Sot, rreth orës 07:50, kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ka ndodhur një incident, ku një person dyshohet se ka sulmuar dy persona me mjet të mprehtë (thikë), të cilët janë transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, pasi kanë marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë Kanun Veseli për “Tëvë1”.
Policia është duke vazhduar hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit.



