Autoritetet: Gërmimet në Zubin Potok mund të zgjasin, bëhet thirrje për të mos dëmtuar hetimet
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka konfirmuar se mbetjet mortore të gjetura në varrezën e dyshuar masive në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut janë me origjinë njerëzore. Ai ka bërë thirrje që të shmangen deklaratat e shumta publike për rastin, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi hetimor.
Isufaj, gjatë vizitës në vendin ku po zhvillohen gërmimet, është shprehur se procesi mund të zgjasë dhe se ende nuk mund të përcaktohet koha e përfundimit të tij.
“Nga mbetjet mortore deri tash është vërtetuar se janë me origjinë njerëzore. Ky proces mund të zgjasë, nuk mund të themi se kur mund të përfundojë”, ka deklaruar Isufaj.
Sipas tij, identifikimi i viktimave do të marrë kohë, pasi mbetjet mortore do t’i nënshtrohen ekzaminimeve dhe identifikimit përmes ADN-së.
Isufaj është zotuar se Prokuroria Speciale do të ndjekë procedura profesionale, të paanshme dhe të pavarura, me qëllim respektimin e viktimave dhe familjarëve të tyre.
“I bëj thirrje gjithë komunitetit në përgjithësi që të mos deklarohemi shumë për rastin, sepse ende gjithçka është herët dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit dhe, natyrisht, mund edhe ta devijojnë rezultatin final”, është shprehur ai.
Edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila ka vizituar lokacionin, ka kërkuar që të ruhet integriteti i hetimeve, duke e cilësuar rastin si tejet të ndjeshëm.
Haxhiu ka thënë se personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës mbeten një nga plagët më të mëdha me të cilat përballet Kosova edhe sot, më shumë se 27 vjet pas përfundimit të luftës.
Ajo ka kërkuar gjithashtu nga faktori ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë për hapjen e arkivave ushtarake, duke u shprehur se mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë paqe “për sa kohë kemi varre të fshehura, arkiva të mbyllura dhe mohim të së vërtetës nga ana e Serbisë”.
Ndërkohë, një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka bërë të ditur se ekipi i forenzikës mjekësore të EULEX-it ka asistuar më 28 korrik në vlerësimin e lokacionit në Zubin Potok. Sipas BE-së, EULEX-i nuk po zhvillon hetime penale, pasi kjo është kompetencë e autoriteteve të Kosovës.
BE-ja ka theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës mbetet një element i rëndësishëm i dialogut Kosovë-Serbi.
Institucionet e Kosovës dyshojnë se varreza masive mund të lidhet me zhdukjen e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”. Në prill të vitit 1999, 23 civilë shqiptarë, përfshirë mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë, u zhdukën.
Lutfije Ademi-Vokshi, motra e kirurgut të zhdukur Adem Ademi, ka shprehur bindjen se mbetjet e gjetura mund t’i përkasin grupit të vëllait të saj.
Ndërkohë, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka publikuar më 29 korrik një raport preliminar, sipas të cilit janë dokumentuar 12 mijë e 230 viktima të luftës në Kosovë gjatë periudhës 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.
Mbi 1 mijë e 500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur, ndërsa mbetje mortore të personave të zhdukur janë zbuluar në disa varreza masive në Serbi.



