Guri ia ‘cakton’ kushtet Ramës për të qenë kryetar i LDK-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka folur për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Guri, në një intervistë në T7, ka thënë se LDK-ja e ka ndihmuar Ramën që të zgjidhet kryetar i Prishtinës dhe se Lumir Abdixhiku e kishte sjellë atë në Kosovë në një kohë kur, sipas tij, nuk e njihte askush.
“Sa i përket Përparim Ramës, Përparim Rama është kryetar i kryeqytetit. Kryetar të kryeqytetit e ka kandiduar pikërisht zoti Lumir Abdixhiku, kur në atë kohë Përparim Rama, dorën në zemër, ka qenë i panjohur në Prishtinë. Me ndihmën e LDK-së është zgjedhur kryetar i kryeqytetit”, ka thënë Guri.
Ndër të tjera, Guri ka thënë se Përparim Rama, për të kandiduar për kryetar të LDK-së, fillimisht duhet të bëhet anëtar i partisë dhe më pas edhe delegat.
“Sa i përket idesë për të qenë kryetar i LDK-së, fillimisht në statutin e LDK-së shkruhet shumë qartë: fillimisht duhet të jesh anëtar, pastaj duhet të jesh edhe delegat”, ka thënë Guri.



