Shtatori, muaj vendimtar për liderët e UÇK-së në Hagë – flasin nga OVLUÇK-ja
Shtatori pritet të jetë një nga muajt më të rëndësishëm për proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Më 16 shtator 2026 është caktuar shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thënë se e ka pritur për një kohë të gjatë përfundimin e këtij procesi.
Përfaqësuesi i OVLUÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se organizata pret që vendimi të bazohet në prova dhe fakte, ndërsa ka shprehur shpresën se ai do të jetë lirues.
“Ne si organizatë, veteranë të luftës, jemi në pritje të këtij vendimi që shumë kohë, sepse është vendim tepër i stërzgjatur pasi u bënë tashmë gjashtë vite që bashkëluftëtarët tanë po mbahen në paraburgim pa një verdikt final. Mezi presim ta marrin atë vendim, edhe pse duam të besojmë që do të jetë vendim lirues”, ka thënë Syla.
Ai ka shtuar se mënyra se si ka vepruar deri më tani kjo gjykatë e bën organizatën të ketë dyshime për rezultatin e procesit.
“Duke pasur parasysh faktin se si ka vepruar kjo gjykatë, do të thotë prej themelimit të saj e deri më tash, neve na lë me dyshuar që kjo gjykatë mund të marrë ndonjë vendim ndoshta edhe negativ, sepse me gjasë nuk do të provojë të thirret mbi prova dhe fakte”, është shprehur Syla.
Sipas tij, shqetësim për OVLUÇK-së paraqet edhe mundësia që vendimi të ndikohet nga faktorë politikë.
“Por i frikësohem edhe ndonjë vendimi tjetër eventual, qoftë ndonjë vendim politik. Sepse ajo gjykatë veç e ka marrë një vendim të dy bashkëluftëtarëve tanë që veç janë dënuar tashmë aty”, ka thënë ai.
Syla ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, ka evoluar mandati i Dhomave të Specializuara, duke e lidhur këtë me raportin e Dick Martyt.
“Duke pasur parasysh se si ka devijuar kjo gjykatë nga ajo çfarë është themeluar, pra ajo çka është themeluar në bazë të raportit të Dick Martit, që ky raport nuk është më pjesë as e aktakuzës, ne kemi dyshuar që kjo ka devijuar nga misioni i saj”, ka deklaruar Syla.
Ai ka shtuar se OVLUÇK-ja pret që vendimi të mbështetet në prova dhe fakte.
“Prandaj ne vendimin jemi duke e pritë të kemi besim të plotë pas luftës sonë çlirimtare dhe, në qoftë se ky vendim do të bazohet mbi prova dhe fakte, bashkëluftëtarët tanë do të kthehen në shtëpitë e tyre. Përndryshe, në qoftë se do të ketë ndonjë vendim politik, besojmë që vendimi do të duhet të jetë negativ”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, OVLUÇK-ja pritet të diskutojë hapat e mëtejshëm në një mbledhje të kryesisë më 25 gusht.
“Në datën 25 gusht mblidhet kryesia e OVLUÇK-së dhe do t’ju mbajmë të informuar, opinionin dhe mediat, për hapat që do të ndërmerren tash e tutje. Andaj, deri atëherë nuk kemi vendim të organizatës”, ka përfunduar Syla.



