Arrestohet 49-vjeçari nga Kosova në Kroaci, kishte fletarrest nga Serbia
Një 49-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Kroaci, pasi autoritetet kufitare kanë konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga Interpoli në Beograd, me kërkesë të Serbisë.
Bëhet fjalë për B.B., nga Nerodimja e Poshtme, i cili është ndaluar në pikën kufitare ndërkombëtare Karasovići, teksa po hynte në Kroaci me një automjet të tipit Audi A6, me targa gjermane.
Sipas mediave kroate, gjatë kontrollit të dokumenteve të udhëtimit, autoritetet kanë verifikuar të dhënat e 49-vjeçarit në bazën e të dhënave të Interpolit dhe kanë konstatuar se ai kërkohej për arrestim dhe ekstradim.
Fletarrestimi ndërkombëtar ndaj tij ishte lëshuar më 29 prill 2024, me kërkesë të Interpolit në Beograd. Serbia e dyshon B.B.-në për kryerjen e krimeve të luftës ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, në fund të viteve ’90.
Pas arrestimit, kosovari është informuar për të drejtat e tij ligjore dhe është dërguar para gjyqtarit hetues të Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik. Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit, në kuadër të procedurës për shqyrtimin e kërkesës për ekstradim.
Megjithatë, ekstradimi i tij drejt Serbisë ende nuk është vendosur.
Autoritetet serbe kanë një afat prej 40 ditësh për t’ia dorëzuar Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik dokumentacionin e plotë dhe provat mbi të cilat bazojnë kërkesën për arrestim dhe ekstradim.
Sipas burimeve pranë hetimit gjyqësor, të cituara nga mediat kroate, B.B. i ka mohuar kategorikisht akuzat e ngritura nga Serbia.
“B.B. ka dhënë një version krejtësisht të kundërt të ngjarjeve dhe ka mohuar përgjegjësinë për veprën për të cilën akuzohet nga autoritetet serbe”, kanë raportuar mediat kroate, duke iu referuar burimeve të afërta me rastin.
Tashmë, Gjykata e Qarkut në Dubrovnik pritet të shqyrtojë dokumentacionin që do të dërgohet nga autoritetet serbe, përpara se të marrë një vendim lidhur me kërkesën për ekstradim.
Rasti është i ndjeshëm për shkak të natyrës së akuzave dhe faktit se kërkesa për arrestim është bërë nga autoritetet serbe për një shtetas të Kosovës, në lidhje me ngjarjet e luftës së viteve 1998–1999.
B.B. vazhdon të gëzojë prezumimin e pafajësisë dhe çdo vendim për ekstradimin e tij do të merret nga autoritetet gjyqësore kroate, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe provave të paraqitura nga Serbia.



